Lajme

Pacolli – diplomatit të lartë amerikan: Demarkacioni dhe dialogu me Serbinë janë temat tona kryesore

By FerizajPress

December 01, 2017

Ai në SHBA është pritur në një takim të ndarë në Departamentin Amerikan të Shtetit nga ndihmëssekretari i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Hoyt Yee.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar mbi nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke përfshirë çështjet më parësore, zhvillimet e gjithëmbarshme politike në rajon, si dhe nevojën e rritjes së angazhimit amerikan në këtë pjesë.

“Zhvillova një takim shumë pozitiv me ndihmëssekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, z. Wess Mitchel dhe zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Hoyt Yee. Rikonfirmuam bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat. Mbështetja amerikane për Kosovën do të vazhdojë të jetë edhe më e fuqishme dhe do të ketë angazhim më të madh të ShBA-ve në Kosovë dhe rajon.

Do të jemi në sintoni të plotë në çdo hap dhe veprim. Partneriteti dhe aleanca jonë strategjike është e palëkundur dhe e përjetshme”, ka thënë ministri i Jashtëm Pacolli.

Ndihmëssekretari i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel, pranoi detyrën e tij të re në tetor të këtij viti, ndërsa është përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike me 50 vende të Evropës dhe Euro-Azisë, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe OSBE-në.