Ferizaj

Pa asnjë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, zhvillohet ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it Amerikan në Kosovë

By FerizajPress

March 21, 2020

 21 Mars, 2020

Prishtinë – Komandanti në largim i Komandës Rajonale të Lindjes, KFOR, Koloneli Robert Hughes, në një ceremoni të zhvilluar më 17 Mars 2020, në Kampin Bondsteel, ka transferuar autoritetin komandues tek koloneli Eric Riley.

Sipas një njoftimi të Komandës Regjionale të Lindjes, KFOR, kjo ceremoni fillimisht është zhvilluar më 16 Mars 2020 në Marechal de Lattre de Tassigny, Kosovë, ku Koloneli Hughes ia ka kaluar flamurin e NATO-s kolonelit Kyle Akers, të Batalionit të 2-të, Regjimentit të 162-të të Këmbësorisë, të Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane të Oregon.

Kurse, të nesërmen është zhvilluar ceremonia në Kampin Bondsteel, ku nga data 17 Mars Komandant i Komandës Rajonale të Lindjes-KFOR është Kolonel Eric Riley.

Ajo që spikatë në njoftimet dhe fotot që janë publikuar nga Komanda Regjionale e Lindjes, në këto ceremoni nuk ishte prezent asnjë nga përfaqësuesit shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se në ceremonitë e ndërrimit të komandës vitet e mëhershme, në ceremoni gjithmonë kanë qenë prezentë përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës.

Burimet të Flesh24, brenda Komandës Rajonale të Lindjes të KFOR, gjithashtu konfirmojnë se në këtë ceremoni nuk ka qenë prezentë asnjë përfaqësues i Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, për mosprezencën e zyrtarëve Qeveritarë, apo ndoshta për mosftesën e tyre, nuk dihet asgjë, pasi që asnjëra palë nuk kanë dhënë asnjë deklaratë.

Përndryshe, Komanda Regjionale e Lindjes së KFOR, përbëhet nga trupa nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe partnerë të NATO-s dhe kombe aleate. Transferimi i komandës tek Kolonel Riley, nënkupton transferimin e autoritetit të komandës për rotacionin e 27-të të forcave kinematike të batalionit KFOR në Kosovë. Ky Batalion është i ngarkuar me sigurimin e lirisë së lëvizjes për popullin e Kosovës, thuhet në njoftimin e Komandës Regjionale të Lindjes, KFOR.