Ferizaj, 6 gusht 2025 – Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK), dega në Ferizaj, ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë qytetar për pjesëmarrje në protestën gjithëpopullore që do të mbahet nesër, më 7 gusht 2025, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në njoftimin e saj, OVL e UÇK – Ferizaj apelon për pjesëmarrje të gjithë veteranëve të luftës, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të Ferizajt, për të protestuar kundër, siç thuhet në njoftim, “padrejtësive që po u bëhen çlirimtarëve tanë të mbajtur padrejtësisht në Hagë”.
Nisja organizohet nga disa pika të Ferizajt
Për të mundësuar një pjesëmarrje sa më të madhe dhe të organizuar, OVL e UÇK ka caktuar disa pika të nisjes me autobusë, sipas këtij orari:
Ora 15:00 – Palestra e sporteve “Bill Clinton” (nisja kryesore)
Ora 15:00 – HIB Bibaj
Ora 14:30 – Ura e fshatit Balaj
Ora 14:30 – Fshati Greme (tek Lapidari i Dëshmorëve)
Ora 14:30 – Fshati Komogllavë (tek ambulanta)
Ora 14:30 – Fshati Gaçkë (tek rrethi kryesor)
Protesta do të fillojë në ora 17:00 në sheshin kryesor të kryeqytetit.
“Koha të ngrihemi bashkë përballë padrejtësisë”
Në thirrjen publike, OVL e UÇK thekson se kjo protestë është një reagim qytetar për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të kundërshtuar, sipas tyre, “proceset të padrejta ndaj figurave kyçe të UÇK-së”.
“Ky është momenti për të treguar që nuk harrojmë, nuk nënshtrohemi dhe nuk heshtim! Bashkohuni me ne, drejtësi për çlirimtarët tanë!”, thuhet në fund të njoftimit të degës së Ferizajt.
Organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje të qetë dhe dinjitoze, duke e cilësuar protestën si një akt solidariteti dhe qëndrese qytetare përballë sfidave me të cilat po përballen ish-luftëtarët e UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë.
https://www.facebook.com/share/p/1FrFGcXasU