Sot, zyrtarë të EULEX-it kanë kryer një aksion basitsjeje në zyret e OVL të UÇK-së dhe kanë arrestuar kreun e kësaj Organizate, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinajn.
Për këtë aksion ka reaguar OVL UÇK në Ferizaj, ku këtë akt e quajnë sa të pahijshëm aq dhe të dëmshëm për marrëdhëniet e tyre me Bashkësinë Ndërkombëtare, dhe me ata që pritet të ndajnë drejtësi
OVL e UÇK-së, Dega në Ferizaj vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjithë, institucione qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë të sjelljes ndaj institucioneve që kanë dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka pikërisht këtë mision – Mbrojtjen e vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për për një shtet 100% të pavarur.
Ja reagimi i plotë i tyre:
KOMUNIKATË – OVL e UÇK-së – dega në Ferizaj
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dega në Ferizaj, të mbajtur sonte, më 25.09.2020, i kemi parë me shumë shqetësim ngjarjet e ditëve të fundit, më konkretisht të ditës së sotme në zyret qendrore të OVL-së në Prishtinë.
OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj e vlerëson krejtësisht të panevojshëm spektaklin e krijuar sot me rastin e bastisjes së zyreve të OVL-së dhe arrestimet spektakolare të krerëve të organizatës sonë.
OVL e UÇK-së është organizatë politike, vullnetare, e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe në mbrojtje të të gjithë pjesëtarëve të saj dhe misionit të luftës së UÇK-së, për të krijuar një shtet të lirë për të gjithë, të pavarur dhe të sigurt për të gjithë banorët, pa dallim, feje, kombi apo raceje.
OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj bën thirrje për maturi, për sjellje qytetëruese dhe për respekt të ndërsjellë. Askujt nuk i bën nderë arroganca, sjelljet e padinjitetshme të kujtdo qoftë.
OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj vlerëson se veteranët, përkatësisht zyret e OVL-së nuk janë adresa për bastisje e arrestime të papritura me përgatitje e arsenal, kur kihet parasysh fakti se askush nuk po ikë askund dhe kjo do të mund të bëhej me një ftesë në mënyrë krejtësisht normale. Krijimi i përshtypjeve sikur po kapen kriminelët dhe po bastiset ndonjë organizatë kriminale, është i dhimbshëm për çdo veteran luftëtar të këtij vendi, për çdo qytetar që krenohet me luftën e UÇK-së.
Është tejet për keqardhje edhe heshtja e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pamjet e arrestimeve nga njësitë policore të Republikës së Kosovës, të djemve tanë më të mirë, shumica e të cilëve janë luftëtarë e bij luftëtarësh, janë pamje që nuk do të duhej t’ua ofronim prindërve e familjarëve të dëshmorëve, nuk do të duhej t’ua ofronim këto pamje familjeve tona e fëmijëve tanë.
Ne u bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim, veteranëve dhe të gjithë kolegëve tanë, Institucioneve të Kosovës, që të sillemi mirë dhe dinjitetshëm, që të kryejmë secili punën dhe obligimin tonë.
Veteranët e UÇK-së kanë vuajtur shumë, kanë kontribuar shumë, kanë treguar maturi e pjekuri në momentet më të vështira historike, veteranët e UÇK-së duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe me respekt.
Ne edhe në këto kohë çoroditëse dhe nëpërkembëse që po kalojmë do të dijmë të reagojmë dinjitetshëm, sepse askush nuk mund të na e shuajë dashurinë për këtë vend, dëshirën e angazhimin tonë për të pasur një shtet të fortë e të vendosur dhe jo një shtet servil dhe një pushtet që sillet si fantazmë konform zhvillimeve.
Përfundimisht, OVL e UÇK-së, Dega në Ferizaj vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjithë, institucione qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë të sjelljes ndaj institucioneve që kanë dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka pikërisht këtë mision – Mbrojtjen e vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për për një shtet 100% të pavarur.
Me respekt, Kryesia e OVL-UÇK – dega Ferizaj, Kryetari Rafiz Sejdiu.