Ferizaj

OSHP anulon kontratën për rregullimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë (Dokument)

By FerizajPress

September 20, 2018

Ferizaj.20.09. 2018. Asfaltimi i rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë si duket do të vazhdoj të mbetet ende diskutabil. Atëherë kur banorët e këtyre fshatrave po prisnin që të zgjidhet problemi i kësaj rruge që lidh disa fshatra me magjistralen Prishtinë-Ferizaj dhe atë Shtime-Ferizaj si duket sërish është kthyer në pikën zero. Sipas një vendimi të marrë nga OSHP (Organi Shqyrtues i Prokurimit) tenderi për asfaltimin e kësaj pjese të rrugës i fituar nga kompania “Bageri” është anuluar. Ky vendim është marrë pas ankesës në këtë organ nga operatori ekonomik NNT ”Sallahu” nga Kaçaniku. Kujtojmë që menjëherë pasi kishte ardhur në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, ministri aktual, Pal Lekaj, ishte zotuar se do ta asfaltonte sa më parë këtë aks rrugor.

“Ne sot po e vizitojmë këtë rrugë që ka impakt pozitiv për qytetarët, për këta nxënës, për lëvizje të lirë dhe unë iu premtova qytetarëve të Tërnit, por edhe deputetit Labinot Tahiri, se kjo rrugë do të kryhet në kohën më të shkurtë të mundshme”, qe zotuar Lekaj në nëntor të vitit të shkuar.

Ndërsa në protestën e organizuar  më 3 Shtator nga banorët e fshatrave Bablak, Lubovc, Tërn, Koshare dhe Slivovë të Ferizajt dhe e mbështetur nga Labinot Tahiri,  Kryeministri Haradinaj kishte  siguruar banorët se Qeveria do të marrë përsipër që të kryejë punët e mbetura në ndërtimin e rrugës që i lidh këto fshatra me rrugët magjistrale.

“Sigurt e keni se ne do të interesohemi për ndërtimin e rrugëve. Jam thellë i bindur se do ta gjejmë një mënyrë për t’i dhënë prioritet kësaj çështje, në mënyrë që të fillojnë punimet”, ishte  shprehur ai.

Por shpresat e banorëve se këtë dimër nuk do ti kenë problemet e rrugës po del se do të mbeten vetëm dëshirë pasi OSHP  këtë proces e ka thyer në pikën zero.

Vendimi i OSHP-së  për anulimin e tenderit për asfaltimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë