Ferizaj

Orari për qarkullim në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit

By FerizajPress

April 13, 2020

Qytetarët e Kosovës mbi moshën 16-vjeçare, nga e mërkura, (6:00 mëngjes), do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. Se kur do të jetë koha e tyre e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të numrave të parafundit të letërnjoftimeve.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media sonte.

Ai si kryesues i grupit punues për menaxhimin e krizës së pandemisë, ku janë edhe tre ministra të Qeverisë në detyrë, ka falënderuar qytetarët për respektimin e vendimeve të deritashme për kufizim të lëvizjes, por ka shtuar se këto, tash kur është rritur numri i të infektuarve, nuk janë të mjaftueshme.

Sipas vendimit të fundit, dalja jashtë shtëpive duhet të bëhet vetëm me arsye, për të kryer ndonjë shërbim apo për furnizim.

Për personat e moshës nën 16-vjeç, po ashtu lejohet dalja për një orë e gjysmë, sipas kriterit të njëjtë, por duhet të jenë të shoqëruar nga një anëtar i familjes së ngushtë.

Për të huajt, do të vlejë e njëjta masë dhe lëvizja e tyre do të përcaktohet në bazë të dy numrave të parafundit të pasaportave që kanë.

Gjatë qarkullimit me veturë, shoferit nuk i lejohet të bartë më shumë se një pasagjer.

Ministria Vitia ka lutur personat mbi moshën 65 vjeç të mos dalin nga shtëpitë.

“Masat mund të duken rigoroze, por përvoja nga shtetet tjera na ka mësuar se nesër mund të jetë vonë dhe prap do të jemi të detyruar t’i marrim këto masa. Këto javë do të na testojnë durimin jashtë mase, numri i rasteve të rritet dukshëm para se të bjerë në mënyrë graduale, por të vazhdueshme”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, të gjitha vendimet e deritashme që bien në kundërshtim me këto të fundit, do të shduqizohen.

Në konferencë ishin edhe ministrat në detyrë, Rozeta Hajdari e Emilija Rexhepi si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit, Xhelal Sveçla.

Deri më tash, pa të dhënat e sotme, në Kosovë janë 362 të infektuar dhe tetë të vdekur.

Ja si do të llogaritet koha e daljes. Shih foton.