Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në qytetin e Skenderajt, ku do të përballen rivalët Drenica dhe Feronikeli. KEK-u që pësoi humbje të thellë nga Drita në xhiron e parë do të ketë punë përsëri me një skuadër gjilanase pasi është nikoqir i Gjilanit. Të rikthyerit në Superligë, Ballkani nga Suhareka do ta mirëpresin Llapin e Bylbyl Sokolit që filloi me humbje. Në ditën e diel janë në program edhe tri ndeshje të tjera. Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do ta luaj edhe një ndeshje tjetër si vendas, ku kësaj radhe pret Flamurtarin. Interesant pritet të jetë edhe në ‘Riza Lushta’, ku Trepça ’89 do të jetë nikoqire e Prishtinës. Ndërkohë ndeshja e fundit do të jetë mes Ferizajt dhe Lirisë.