Lajme

Opozita s’e pranon kryeakademikun për matjen e territorit

By FerizajPress

January 25, 2017

Emërimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në krye të Komisionit Shtetëror për Matjen e Territorit po kundërshtohet ashpër nga opozita dhe analistët politikë, pasi që, sipas këtyre të fundit, me këtë Komision po tentohet të kamuflohet dëmi që i është bërë vendit me Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Megjithatë, Islami ka premtuar se “Komisioni do të qëndrojë larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake dhe grupeve të interesit”.

Mustafa: S’përzihemi në punën e Komisionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar anëtarët e rinj të këtij Komisioni ka thënë se ekzekutivi i vendit nuk do të përfshihet fare në punën e këtij Komisioni, shkruan “Zëri”.

“Ne si Qeveri nuk do të japim konkluzione sesi të punojë Komisioni, sepse konsiderojmë se ai është profesional dhe do ta lëmë në përgjithësi dhe në kompetencë të Komisionit që t’i përcaktojë kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa

Shefi i Qeverisë ka bërë të ditur se raporti përfundimtar i këtij Komisioni do të dorëzohet në Kuvend me aprovimin e Qeverisë.

“Raporti që ju do të bëni përfundimisht do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe pastaj me këtë raport do ta njoftojmë Kuvendin, qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015”, ka thënë Mustafa./ZERI.INFO/