Editorial

OPOZITA PENGESË E LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

By FerizajPress

November 24, 2016

Në një shkrim të publikuar në vitin 2014, pas krijimit të koalicionin qeverisës PDK-LDK, kam potencuar se dy nga hapat më të rëndësishëm që do të ndodhin gjatë këtij legjislacioni të Parlamentit të Republikës së Kosovës do të jenë; Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim dhe Liberalizimi i Vizave. Realisht në të gjitha kushtet normale që të dyja do të duhej të përfundoheshin deri në fillimin e gjysmës së dytë të mandatit katër vjeçar

Marrëveshja për Stabilizim Asocim u nënshkrua në Strasburg në tetor të vitit 2015 në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, nga përfaqësuesja e lartë e punëve të jashtme dhe të sigurisë Federica Mogherini, komisioneri Johannes Kahn dhe nga pala kosovare, Kryeministri Mustafa dhe ish-Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku. Ky ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën i cili nis rrugëtimin e saj drejtë Bashkimit Evropian meqenëse qëndrojnë edhe gjashtë shkallë pasuese pas ratifikimit nga BE-ja deri në anëtarësimin e plotë.

Sa i përket Liberalizimit të vizave, pas propozimit të Komisionit Evropian në Këshillin dhe Parlamentin Evropian, që të gjitha institucionet e BE-së japin vlerësim pozitiv duke cilësuar se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe hapjen e kufinjëve. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjet dhe reformat e vështira në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme.

Komisioni Evropain ka konfirmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit e që në vijim ka për obligim të ratifikoj marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi është duke u penguar qëllimisht nga opozita për poena politikë që stopon direkt liberalizimin e vizave. Komisioni për demarkacion, i themeluar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, e që në mesin e tyre ka edhe ekspert ndërkombëtar nga SHBA, Gjermania e Britania e Madhe ka kryer detyrat e tij për të përfunduar çështjen në fjalë por që raporti final nuk është pranuar nga opozita për ratifikim në Parlament.

Nuk është kjo çështja e parë e as e fundit që opozita kundërshton një vendim dhe nuk jep opsion zëvendësues. Momenti i humbjes së arsyes është i dëmshëm dhe bllokimi i punës në Institucionin më të lartë të shtetit mund të qojë në shpërndarje të Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Ky bllokim mund të pengojë liberalizimin e vizave deri në legjislacionin e ardhshëm e që në realitet do të duhet të përfundohej tashmë. Kosovarët vazhdojnë të udhëtojnë nën regjimin e vizave e për këtë, bartës kryesor është opozita kosovare të cilët pasi që nuk janë pjesë e suksesit, preferojnë dështimin!

 

Elbasan Osmani

Master i Shkencave Politike/Politikave të BE-së

24 nëntor 2016