Partitë opozitare po paralajmërojnë rikthimin e gazit lotsjellës në seancat plenare nëse ndodh që Qeveria të procedojë për ratifikim versionin aktual të marrëveshjes për demarkacionin më Malin e Zi, i cili është kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
Ndonëse nuk janë unike si dikur, VV, AAK e NISMA thonë se do të përdorin secilin mjet i cili pamundëson ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në versionin aktual.
Sekretari i Përgjithshëm i Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi, thotë se vendosja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin më Malin e Zi është i padrejtë. Sipas tij, një kusht i tillë nuk i ishte vendosur Malit të Zi në kohën kur qytetarëve të këtij vendi ua hoqën vizat.
Sherifi thotë se më mirë është të shtyhet për pak kohë liberalizimi i vizave sesa vendi të humbasë mbi 8 mijë hektarë tokë. Ai nuk beson që ka qytetar të Kosovës që për hir të liberalizimit të vizave është i gatshëm t’i falë 8 mijë hektarë.