Ferizaj

Opozita në Kuvend kërkon anulimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës

By FerizajPress

February 08, 2022

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të futet si pikë e rendit të ditës vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Ne kërkojmë që të kemi një mocion procedural, për një pikë ku do të debatojmë urgjentisht për vendimin e këtij organi të Kuvendit të Republikës së Kosovës  apo më mirë të themi instrumentin e kryeministrit Albin Kurti, që sapo mori një vendim që e rëndon gjendjen në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka kërkuar nga grupet parlamentare që të trajtojnë këtë që të trajtojnë këtë çështje dhe të kërkojnë anulimin e vendimit

“Ky vendim e rëndon gjendjen në Kosovë. Unë kërkoj nga shefat e grupeve parlamentare të trajtohet ky vendim me urgjencë dhe të anulohet sot”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet të shkarkohet edhe Bordi i ZRrE-së.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se duhet së pari të përfundohen disa pika të mbetura nga seancat e mëparshme dhe më pas në një seance tjetër mund të prezantojnë mocionin.

Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj ka thënë se për çështje urgjente mund të ketë mocion në çdo kohë.

“Kjo është më shumë e rëndësishme se sa vendimet e disa ndryshimeve që nuk janë përmbajtësore por, janë teknike dhe kjo është pasojë e mosvotimit të rezolutës së pengimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike”, ka thënë Zemaj.

“Tash sapo u njoftuam pa të drejtë se vendimi i rregullatorit është për rritje të 100% të energjisë elektrike në vend dhe kjo do të jetë e papërballueshme për qytetarët. Pra Kuvendi duhet të ndërmarrë iniciativë dhe të vijë me rekomandime të sakta për eliminimin e këtij defekti”, ka shtuar ai.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.