Editorial

OKSIMORONI  “ZAJEDNICA NUK KALON – ZAJEDNICA E MIRË ”

By FerizajPress

November 11, 2023

Aktualiteti i sotëm shoqëror i polarizuar sistematikisht sikur e dikton vetëm kuptimin dogmatik mbi rrjedhat dhe sfidat e shoqërisë dhe shtetësisë sonë e cila fatkeqësisht ndodhet ende në fazën zhvillimore e cila gjason me fëmijët e sotëm të cilët e presin dorën e gjyshit pranë shkollës për ti shoqëruar sepse përndryshe siguria e tyre është e diskutueshme.

Pa rrëshqitur në qasje subjektive si ish aktivist i devotshëm i turmës së dikurshme protestuese dhe i arrestur për kauzën “zajednica nuk kalon”, indiferenca qoftë edhe me mosshprehje opinioni do t’a ndjeja si konformizëm i jashtëm ndaj një “ autoriteti shumicë  ” e cila kritikën e njehë vetëm si armiqësi, sepse përvoja ime më dëshmoi thënjen e psikologut Kurt Levin: “Ti nuk e kupton dot një sistem derisa të përpiqesh ta ndryshosh atë ”, pavarësisht kësaj në konsistencë me mospajtueshmërinë time prej kohësh, rrjedhën aktuale do e spikasë vetëm nga këndëvështrimi dhe qasja shkencore si bazë e objektivitetit.

E vërteta si nocion ka qenë dhe mbetet objektiv i shpjegimit të përhershëm, parasëgjithash i shpjegimit shkencor. Logjika ishte dhe mbeti shoqëruesi më besnik i kuptimit dhe zberthimit kritik mbi të vërtetën, nga ky këndëvështrim binomi i mësipërm prej dy sintagmave oksimoron na dërgon tek parimi logjik matematikor disjunksioni ekskluziv ( p ∨ q ) i cili është i saktë, atëherë dhe vetëm atëherë ( ⇔) kur vetëm njëri nga dy pohimet është i saktë.

Disonanca kognitive: teoria që shpjegon vetë-mashtrimin

– Dy pyetjet logjike që rrëzojnë qasjen dogmatike do të ishin:

  1. Cili është kauzaliteti (shkaku) i rrëshqitjes nga sintagmat “zajednica nuk kalon”, “ska zajednicë, as asi as kësi”… tek sintagma “Zajednica e mirë”?

Me ankorimin “spirancë” të kërkimeve, shkencat shoqërore si Psikologjia e posaqërisht Psikologjia-Sociale gjenden të dhëna të cilat të vendosura në aktualitetin tonë shoqëror s’na lënë pa përgjigje edhe në dy pyetjet e ngritura.

Në pyetjen e parë duhet ose mund të shtrohen dilemat:

  1. Që ky pranim(metamorfozë) të ketë ardhur nga një lloj i presionit shantazhues?
  2. Që ky pranim të ketë ndodhur për arsye të ruajtjes së pushtetit?

Dilema e parë mbetet për diskutim i së ardhmes sepse shantazhi si mjet apo metodë fillon fshehurazi larg opinionit dhe si i tillë kur ka ndikimin e duhur mbetet i tillë, krejt çka mbetet për të parë është metamorfoza apo ndryshimi i pa akceptueshëm.

Dilema e dytë mbase mund të mos jetë shkaku sepse sipas parashikimeve elektorale nuk ka luhatje të besueshmërisë, por si do qoftë ruajtja e pushtetit para kësaj metamorfoze mund të jetë sfidë në vetëvehte sepse disonanca kognitive është kujdestar i pashmangshëm për çdo njeri normal.

Për hirë të lexuesit: Disonanca kognitve (mospërputhja njohëse) konsiston në konfliktin e krijuar tek individi apo grupi individëve kur ka dy kognicione (njohje) apo informata të kundërta të cilat sfidohen kur vehen në balancin e qëndrimeve dhe sjelljeve që ekzistojnë. Disonanca kognitive si fenomen është me ndikim të madh dhe si e tillë e studiuar me interes nga psikologjia sociale. Mbajtja e këtij shqetësimi të krijuar brenda individit apo grupi individësh të cilët kan dy ose më shumë besime, ide apo vlera kontradiktore në të njejtën kohë të cilat prodhojnë disonancë kognitive për të cilën hulumtimet drejt parashikimit të saj janë marrë edhe me mënyrat e reduktimit si fenomen që e rëndon edhe shëndetin mendor.

Në dilemën pushtetmbajtëse më e gjasëshme mbetet përpjekja e qeverisë Kurti në reduktimin e disonancës kognitive dhe vetëmenaxhimi i saj drejt ekuilibrimit nga metamorfoza. Është për t’u vlerësuar aftësia dhe dominanca që vjen prej karizmës së liderit aktual e hegjemon mbi opozitën, po aq sa edhe aftësia e përdorimit të kompliancës së suksesshme para turmës ndjekëse duke përdorë dy teknikat e njohura si “këmba në derë” si fryerje e ballonit se “s’ka zajednicë” , “ska negociata pas 24 shtatorit- asgjë si më parë” etj… Dhe papritmas përdorimi i teknikës “dera në fytyrë” – me përplasjen në fytyrën e gojëhapurëve që presin fjalën e mesisë, vjen sintagma “Zajednica e mirë”!?

Me që tani më ka ndodhur loja “kali para qerres apo qerrja para kalit ”, pra sjellja(veprimi) ka dalur para qëndrimeve të dikurshme, shihë për këtë në evidencat e hulumtimeve shkencore studiuesi Leon Festinger, lidhur me raportin në mes qëndrimeve dhe sjelljes ai vlerësoi se raporti qëndrim-sjellje funksionon anasjelltas disi së mbrapthi, biles ai figurativisht u shprehë: “Sjellja jonë është kali, qëndrimet tona janë qerrja”. Në vazhdën e kësaj poashtu Robert Abelson (1972) shprehet ne jemi “shumë mirë të trajnuar dhe shumë të mirë në gjetjen e arsyeve për atë se çfarë bëjmë, por jo shumë të mirë në bërjen e asaj për të cilën i njohim arsyet ”.

Disonanca kognitive nëpër të cilën pashmangshëm kalojnë individët dhe kolektivitete njerëzish është studiuar gjerësisht në fushën e psikologjisë e përkufizuar si shqetësimi, tensioni ose ankthi që përjetojnë individët kur bindjet ose qëndrimet e tyre bien ndesh me atë që bëjnë. Kjo pakënaqësi mund të çojë në një përpjekje për të ndryshuar sjelljen ose për të mbrojtur besimet ose qëndrimet madje edhe duke shkuar deri tek vet-mashtrimi për të zvogëluar shqetësimin e prodhuar. Gjendja e tillë e krijuar deri në vetëbesim e vetë-mashtrim sidomos nga drejtues-lider kauzash mund të përbëjë rrezik kolektiv, nga një vlerësim i teorisë së krahasimit social vlerësimi i ideve të drejtuesëve vjen nga krahasimi me atë që besojnë njerëzit e tjerë. Në vazhdën e kësaj besime të tilla i gjejmë tek përshkrimi i gjatë i Sigmund Frojdit për turmën, ku pos tjerash shkruan : “…Turma është tepër e sugjestionushme dhe e besëlehtë, është e zhveshur nga shiriti kritik, e pavërteta nuk ekziston për të. Ajo mendon me figura, të cilat i shfaqen njëra pas tjetrës nëpërmjet asociacioneve,….”. 

Që aktualisht kemi manifestim të sindromës së delirit të madhështisë nga autoriteti i qeverisë – Kurti, e dëshmon mungesa e një katarsisi publik rreth kësaj metamorfoze nga “Zajednica nuk kalon tek zajednica e mirë”. Pra, paaftësia e një pranimi të pamundësisë së ndryshimit të gjendjes, e zëvendësuar me përpjekjen e justifikimit të një pikture të madhe si shpjegim Geshtaltist mbi aktualitetin, shpjegim i cili plotëson hapësirat strukturale pa sinkron të cilat mund të jenë ogur i keq për të nesërmen. Kjo shpërfaqje është reduktimi më i pashëndetshëm i disonancës kognitive (pra, largim prej konsonancës-harmonizimit të dy realiteteve). 

Njëri nga postulatet e teorisë së korrespondencës në kuadër të teorisë së disonancës kognitive të personalitetit konsiston në ate se : Një individ, sjellja e të cilit bie ndesh me kuptimin dhe njohuritë e tij, por nuk shkakton disonancë konjitive në mendjen e tij, duhet të konsiderohet si përjashtim. Prandaj, veprimtaria e tij jetësore i nënshtrohet studimit dhe analizës. Le të shpresojmë dhe besojmë që jemi të përjashtuar nga një mundësi e tillë, sepse është evidente mungesa e gatishmërisë së katarsisit nga lidershipi aktual si përpjekje e vetmenaxhimit të disonancës kognitive, imediate do të ishte reflektimi i mungesës  së iluzionit ndërmjet reales dhe fantazisë si kusht i normalizimit të përgjithshëm shoqëror.

-Në pyetjen e dytë të ngritur si më lartë, natyrishëm do t’i referohemi përgjigjeve që ofron shkenca e psikologjisë sociale mbi sjelljet e grupit (turmës) që ndjekin idetë e liderit. E pashmangshme është sjellja e një paranteze studimore të kryer nga Leon Festinger (1954) i njohur si studimi: “Kur profecia dështon

I nxitur nga premiasa se njerëzit tentojnë apo janë prirur të kërkojnë konsistencë në besimet dhe perceptimet e tyre. Por, çfarë ndodh kur një nga besimet tona bie në konflikt me një besim tjetër që ekziston në mendjen tonë ?, Festinger përshkroi hipotezat themelore të disonancës kognitive (mospërputhjes njohëse) si më poshtë:

a) Ekzistenca e disonancës (mospërputhjes), duke qenë psikologjikisht e pakëndshme, do ta motivojë personin që të përpiqet të zvogëlojë disonancën dhe të arrijë konsonancën-përputhjen  (ose konsistencën).

b) Kur disonanca është e pranishme, përveç përpjekjes për ta reduktuar atë, personi do të shmangë në mënyrë aktive situatat dhe informacionet që mund të rrisin disonancën.

Ndërsa ishte në Universitetin e Minesotës, Festinger lexoi për një kult që besonte se fundi i botës ishte afër. Një grua, “Znj. Marian Keech”, raportoi se kishte marrë mesazhe nga alienët jashtëtokësorë se bota do të përfundonte me një përmbytje të madhe në mesnatën e 21 dhjetorit 1954. Ajo tërhoqi një grup ndjekësish që lanë punët, shkollat ​​dhe bashkëshortët dhe që dhanë para dhe pasuri, bënë pregaditje për t’u nisur me një disk fluturues, që sipas zonjës Keech, do të mbërrinte për të shpëtuar besimtarët e vërtetë e të devotshëm. Duke pasur parasysh angazhimin serioz të besimtarëve, Festinger pyeti veten se si do të reagonin kur profecia të dështonte. Ai dhe kolegët e tij, duke u paraqitur si besimtarë, depërtuan në grupin e zonjës Keech dhe mbajtën shënime për procedurat në mënyrë të fshehtë. Besimtarët iu shmangën publicitetit ndërsa prisnin diskun fluturues dhe përmbytjen. Por, kur profecia nuk u konfirmua sepse bota nuk kishte marrë fund, në ndërkohë znj. Keech raportoi se kishte marrë një mesazh tjetër nga planeti Clarion: bota ishte shpëtuar në minutën e fundit falë besimit të “motorë kërkimit” okultist. Pothuajse menjëherë pas kësaj anëtarët e grupit më të përkushtuar bënë thirrje në gazeta, kërkuan intervista dhe filluan të prozelitonin në mënyrë aktive. (për lex.: Prozelitizmi quhet vendosmëri ose padurim me të cilin një person ose një institucion përpiqet të bindë njerëzit e tjerë të ndjekin ose mbështesin një kauzë, doktrinë, ideologji ose fe).

Festinger nuk u befasua nga prozelitizimi i papritur pas moskonfirmimit të profecisë, ai i shihte anëtarët e kultit që kërkonin mbështetje sociale për besimin e tyre për të pakësuar dhimbjen e moskonfirmimit të tyre. Sjellja e tyre konfirmoi parashikimet nga teoria e tij kognitive e disonancës, premisa e së cilës ishte se njerëzit duhet të ruajnë konsistencën midis mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve. Kështu nga turma obskurantiste, megjithëse disa anëtarë të grupit nga zhgënjimi i plotë mbetën jashtë, ata që mbetën treguan një shkallë më të lartë kohezioni dhe filluan të mbrojnë idetë e tyre më rrënjësisht, për të përhapur fjalimet e tyre dhe për të kërkuar një shikueshmëri më të madhe. Dhe e gjithë kjo nga një ditë pas apokalipsit të rremë. Në veçanti Marian Keech, vazhdoi të ishte pjesë e këtij lloji të kulteve deri në vdekjen e saj në 1992.

Për më tej, në vazhdën e këtyre njohurive të arritura, Festinger më 1955 pas largimit nga Universiteti i Minesotës për në Universitetin e Stanfordit, ai me studentët e tij kreu një seri eksperimentesh laboratorike të cilat konfirmuan teorinë e disonancës kognitive në një gamë të gjërë fenomenesh. Nga më të njohurat është paradigma e përputhshmërisë së detyruar, në të cilën subjektet kryenin një sërë detyrash të përsëritura dhe të mërzitshme (përmbysja e disa kunjave të ngulura në një tabelë)  dhe më pas iu kërkua të gënjejnë “subjektin tjetër” (në fakt një bashkëpunëtor eksperimental) dhe të thonë se detyrat ishin interesante dhe të këndshme. Disa subjekte paguheshin 1 $ për të gënjyer, ndërsa të tjerët paguheshin 20 $ po ashhtu për të gënjyer.

Parashikimi i Festingerit doli i sakt sipas teorisë së tij, sepse subjektet që paguheshin 1 $ për gënjeshtra, më vonë i vlerësuan detyrat si më të këndshme dhe jo të mërzitshme, sesa ata që paguheshin 20 $. Kështu që subjektet që paguheshin 20 $ nuk duhet të kishin përjetuar disonancë, sepse ata ishin shpërblyer mirë dhe kishin justifikim të mjaftueshëm për të gënjyer, ndërsa ata që u paguan me 1$ kishin pak justifikim për të gënjyer dhe duhet të kishin përjetuar disonancë konjitive, për të zvogëluar disonancën, ata për pasojë i rivlerësuan detyrat e mërzitshme si interesante dhe të këndshme.

Nga këndëvështrimi i psikologjisë bihejvioriste, pëlqimi është thjesht një funksion i shpërblimit, kështu që shpërblimi më i madh do të prodhonte pëlqim më të madh. Duke shembur termat bihejviorist teoria e disonancës kognitive i tejkaloi këto me eksperimentin e Festingerit dhe Carlsmith duke treguar qartë për një pëlqim më të madh me shpërblim më të ulët. Pra, një rezultat që kërkonte njohjen e proceseve njohëse. 

Se pëlqimi, besimi, konformizmi (ndryshimi i sjelljes) deri në shkallë të bindjes(obediencës) konfirmohet  përtej kësaj edhe me studimet sjellore të bindjes nga Stenli Millgram (me eksperimentin mbi koformizmin si zbulim i shekullit) ku konfirmohet se njerëzit shpërfillin vlerat e tyre morale, për t’iu bindur autoritetit.

Kontekstualizimi në aktualitetin tonë nga prizmi studimeve dhe hulumtimeve e të sipërpërmendura natyrshëm që krahasimet natyrisht se përpos dallimeve kulturore, brenda këtyre konkludimeve kredibile me bazë shkencore po thuaj universale, natyrshëm se përgjigjet janë rrjedhime logjike të prezencës së disonancës kognitive si të qeverisë Kurti, poashtu edhe turmës shumicë miratuese në unisone të metamorfozës së liderit përballë oksimoronit “Zajednica nuk kalon – Zajednica e mirë”, si profeci e dështuar.

 Enver Bajrami, prof. Ish aktivist i LVV-së