Lajme

O’Connell: Mënyra e vetme që të luftojmë korrupsionin është që të kemi parti politike të shëndosha dhe transparente

By FerizajPress

March 21, 2017

Në Konferencën e organizuar nga Ambasada Britanike në Kosovë dhe Fondacioni i Westminster për Demokraci u diskutua për Demokratizimin e Partive Politike në Kosovë dhe Transparencën dhe Financimin e Partive Politike.

Në kuadër të konferencës, fjalë hyrëse mbajtën, Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës dhe  Ruairi O’Connell, Ambasador i Britanisë së Madhe. Më pas u lansua programi britanik për demokracinë ku WFD prezantoi programin e përkrahjes për vitet 2017 deri më 2019.

Gjatë lansimit të programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë të mbështetur nga ambasada britanike, Presidenti Hashim Thaçi tha se angazhohet që nëpër listat e partive për deputetët të mos ketë persona që ndodhen nën hetime.

“Që në fillim të marrjes së detyrës kam promovuar  idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive , e që kërkon që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nuk do të lejohen të hyjnë në lista si deputetë, e as të marrin pagë në  institucione publike”  tha Thaçi.

Presidenti tha se një hap i tillë i përjashtimit nga lista të atyre që hetohen “do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në partitë politike dhe në aspiratën e tyre që të punojnë për interesa të Kosovës dhe qytetareve të saj”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe  Ruairi O’Connell tha se shteti që përfaqëson është i vendosur që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil.

O’Connell tregoi se si duhet Kosova ta luftojë korrupsionin.

“Mënyra e vetme që të luftojmë korrupsionin është që të kemi parti politike  të shëndosha dhe transparente të cilat duhet të përpiqen ti shërbejnë interesave të qytetarëve”, tha ambasadori britanik.