Objekti i Sahatkullës që prej ndërtimit të tij para disa vitesh ka mbetur i papërfunduar, në gjendje për keqardhje. Nuk janë vënë orët për të matur kohën, pra, nuk është funksionalizuar.
Qytetarët e Ferizajt kanë mendime të ndara rreth këtij objekti, disa thonë duhet funksionalizuar ky objekt, pasi Ferizaj nuk ka objekte të lashtësisë, meqë është qytet i ri, dhe ky objekt ndonëse është ndërtuar në kohën tonë, simbolizon të kaluarën. Naseri, 57 vjeç nga Ferizaj mendon se do të ishte mirë që të vendosen orët dhe ky objekt të bëhej atraktiv, për të mos hequr prej aty pasi është investuar në të. Ndërsa Sokol Nuhiu, qytetar i Ferizaj, ka thënë se nuk është ndonjë objekt që është mirëpritur nga qytetarët, prandaj edhe nëse rrënohet nuk do të bëhej keq. “Pasi nuk është vënë në funksion deri më tani, edhe po të mos ekzistojë si objekt në këtë hapësirë nuk është keq. Si objekt nuk ka zgjuar ndonjë intersim tek qytetarët”, ka thënë Nuhiu, ndërsa ka shtuar se më mirë do të ishte të rrënohej sesa të ngelej kështu siç është tani. Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa në lidhje me këtë çështje ka thënë se ka pasur mospajtime në vazhdimësi rreth orëkullës nga qytetarë, intelektualë, arkitektë e shoqëria civile për një mori çështjesh. “Ky objekt së pari nuk është integruar edhe inkorporuar në planin urbanistik të qytetit, në përballje me monumente të kulturës siç janë pjesa identitare e komunës dhe objekteve të kultit, xhamia dhe kisha, kjo sipas vlerësimit të ekspertëve. Ne megjithatë nuk kemi akoma ndonjë vendim, i cili do të ishte obligues për qeverinë komunale për të marrë pasa, qoftë për rrënimin e saj apo funksionalizimin e saj”, ka thënë Svarqa.
Ai më tej ka shtuar se në planet investuese nuk është paraparë të bëhet ndonjë investim për funksionalizimin modern të këtij objekti. “Fatkeqësisht ky objekt është shndërruar në një nga objektet më degraduese, qoftë për hapësirën, qoftë për përdorimin, i cili shpesh përdoret për nevoja banale nga qytetarët”, ka theksuar numri një i Ferizajt. Më të ashpër në vlerësime për Sahatkullën kanë qenë zyrtarë të organizatës INPO, të cilët kanë thënë se në shtator të vitit 2013 ata kanë kërkuar që ky objekt të rrënohet. “Janë një mori çështjesh që na shtyjnë në kërkesën për rrënim të tij. Orëkulla është ndërtuar pa leje ndërtimi, prej atëherë nuk është funksionalizuar asnjëherë për destinimin që është ndërtuar, nuk është estetik dhe nuk përkon me asnjë element te rrethinës ku ai gjendet dhe për më tepër ky objekt nuk përfshihet në planin zhvillimor urban dhe në asnjë plan tjetër urbanistik. Dhe për krejt këto arsye ne mendojmë se Sahatkulla është dashur të shembet qysh moti”, ka thënë Shqipërim Lubishtani nga organizata INPO. Sahatkulla e Ferizajt ishte dhuratë për qytetarët e Ferizajt nga punëkryerësi që realizoi projekin e nënkalimit hekurudhuror, transmeton Tv Liria