Ferizaj

Nxënësit me aktivitet humanitar për familjet nevojtare

By FerizajPress

March 17, 2017

Përmes shitjes së ëmbëlsirave, nxënësit e gjimnazit ‘’Kuvendi i Arbërit’’në Ferizaj, kanë marrë iniciativë që të grumbullojnë para për familjet nevojtare.

Organizatorja e këtij aktiviteti, Hysnije Mustafa-Shamolli, tha se me aktivitete të tilla janë duke u marrë që disa muaj.

 “Me grupin e këtyre të rinjve kemi filluar nga shkurti, qytetarët vazhdimisht kanë dhuruar rroba dhe sot pasi që koha ishte pak më e mirë vendosëm që të jetë pak më argëtuese për qytetarët dhe të marrim një iniciativë pak më ndryshe, do të ketë edhe muzikë edhe ëmbëlsira që qytetarët të kënaqen me këto dhe do të mund të japin kontributin e  tyre për familjet që kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha Mustafa-Shamolli.

Qytetarët ferizajas e vlerësuan lartë këtë aktivitet bamirës.

Është shumë i mirë ky aktivitet, duhet me u ndihmu familjet nevojtare, këta janë të ri dhe është mirë që mendojnë për të tjerët”,tha Hysen Shabani.

“Unë kam ardhë mysafir nga Turqia dhe i pashë këtu dhe kontribova, është ide e mirë, të varfërit gjithmonë duhet me i ndihmu sepse ka shumë, dikush ka arritur më shumë, dikush jo”,tha Sedat Spahiu.

Ndërsa, Fjolla Hetemi, nxënëse e shkollës së muzikës, tha se ky aktivitet përveç anës humane u mundëson që të përgatiten edhe profesionalisht.

 “Unë jam edhe pianiste dhe mendoj që është shumë mirë për ne që po avancohemi, kështu që është shumë e mirë për ne dhe mendoj që është një shtyerje shumë e mirë për të ardhmen”,tha Fjolla Hetemi.

Nga aktivitetet e mëhershme që këta të rinj kanë organizuar, kanë arritur të mbledhin mbi 800 euro, transmeton Televizioni Tema.