Lajme

Nuk ka pasaporta zvicerane për 2 vajzat myslimane që refuzojnë mësimin e notit

By FerizajPress

June 27, 2016

Kryetari i komisionit për natyralizime, Stephan Wehrle ka thënë me këtë rast se “kushdo që nuk e përmbush një detyrim shkollor shkel rendin juridik kështu që nuk mund të natyralizohet”.

Refuzimi, në baza religjioze për të marrë pjesë në mësimin e notit u ka kushtuar dy vajzave nga Bazeli me pasaportën zvicerane, njofton srf.ch. Në të vërtetë dy motrave, besimtare myslimane, 12 dhe 14 vjeçare, nxënëse në një shkollë të qytetit u është hedhur poshtë kërkesa për natyralizim për faktin se nuk marrin pjesë në mësimin e notit dhe nuk duan të shkojnë në kampet që i organizon shkolla. Vendimin kundër dhënies së shtetësisë këtyre dy vajzave e ka marrë asambleja e qytetarëve me shumicë votash, transmeton albinfo.ch

Kryetari i komisionit për natyralizime, Stephan Wehrle ka thënë me këtë rast se “kushdo që nuk e përmbush një detyrim shkollor shkel rendin juridik kështu që nuk mund të natyralizohet”.

Ndonëse ky vendim është precedent, Wehrle është i sigurt se bëhet fjalë për një vendim të bazuar dhe se nuk do të ketë problem me ligjin. Për këtë ai thotë se ka mbështetje në vendimin e paradokohshëm të Gjykatës Federale, i cili e shpallte pjesëmarrjen në mësimin e notit në shkollë si pjesë të detyrimit shkollor, përcjell albinfo.ch. Duke e ditur këtë, madje, familja e dy vajzave ka hequr dorë nga ankesa.

Dy vajzat, përveç refuzimit të mësimit të notit, refuzojnë edhe t`u japin dorën mësuesve, ngjashëm me dy vëllezërit myslimanë (sirianë) nga Basellandi, çështja e të cilëve ishte bërë e njohur në opinion para pak muajve. Por, dhënia e dorës nuk është detyrim shkollor, ka thënë Wehrle, kështu që, vetëm ajo, nuk do të kishte për pasojë mosdhënien e pasaportës.