Lajme

Nuk ka eksod të ri të kosovarëve!

By FerizajPress

September 05, 2017

Raportimet e mediave se kosovarët po largohen masivisht nga vendi, për shkak të koalicionit të djeshëm ndërmjet PAN dhe AKR’së, po cilësohen si dezinformata. Ylber Çitaku, Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë ka thënë për Gazetën Express se me linjat e rregullta janë larguar vetëm disa udhëtarë që kanë qenë nëpër shtëpitë e tyre për festën e Bajramit. Madje edhe në fotografitë e publikuara mbrëmë pas transmetimit të këtij lajmi, shihet se Stacioni i Autobusëve ka qenë i zbrazët.

Ndonëse tri vjet më parë Kosova u përball me ikje masive të qytetarëve, e sidomos të të rinjve nga vendi, në kërkim të një jete më të mirë, një situatë e ngjashme mohohet të jetë duke ndodhur në këtë periudhë, kur ende nuk janë formuar institucionet.

Mbrëmë në emisionin “Interaktiv” të KTV’së, gazetari Xhemajl Rexha, duke komentuar disa pamje nga stacioni i autobusëve, ku shiheshin një numër jo i madh qytetarësh, ka thënë se në vend ka filluar një valë e re largimesh drejt Perëndimit.

Gazetari i KTV’së, këtë “largim masiv” e ka ndërlidhur me marrëveshjen PAN-AKR, që sipas tij, ka nxitur shpërnguljen. Portali, i kompanisë Koha, madje lajmin e ka ilustruar me fotografi të vjetra, të tre viteve më parë, kur qytetarët ishin larguar masivisht.

Por, e gjithë kjo, është mohuar nga Ylber Çitaku, drejtori i stacionit të autobusëve.

Çitaku ka sqaruar për Gazetën Express se nuk ka gjë të vërtetë në këtë situatë, megjithatë thotë se për korrektësi, një ditë pas festës së Bajramit ka pasur diku rreth 15 udhëtarë më shumë që janë nisur për vende tjera.“Unë mendoj që më shumë janë intriga sesa që mundet me pas diçka të vërtetë. Për korrektësi, një ditë pas festës se Bajramit ka pas diku rreth 15 udhëtarë kanë qenë më shumë se zakonisht, por ajo mundet me qenë që kanë qenë punëtorë që punojnë nëpër furra në Vojvodinë ose kah pjesa e Hasit, përndryshe çdo gjë ka qenë normale, nëse e kishim bo një krahasim të tille p.sh për linjën në Beograd ose Gjermani që udhëtojnë çdo dite. Atë ditë për Gjermani kanë qenë 20 autobusa vetëm të Barileves por këto janë më shume fjalë dhe dezinformata, por ne nuk kemi informacion të tillë”, është shprehur Çitaku. Duke i komentuar raportimet e mbrëmshme se një numër më i madh njerëzish është parë mbrëmë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, Çitaku thotë se ato janë linja të rregullta që nisen çdo ditë dhe kthehen pothuajse më të njëjtët udhëtarë. “Unë mundem me dokumentu se për çdo natë në ora 23:00 Adio Tursi shkon me 20-25 udhëtarë për çdo dite pra ajo është linjë e rregullt dhe i ka po ata udhëtarë, njerëzit shkojnë për dokumente, për gjëra të ndryshme por edhe kthehen. Edhe në kthim është numri i njëjtë i udhëtarëve. Sa i përket videos së publikuar nuk e di por ai që ka fol nuk ka qenë zyrtar i stacionit dhe nuk ka fol ne emër të stacionit”, ka thënë ndër tjerash ai. Për krejt këtë situatë, Policia e Kosova ka thënë për Express se nuk ka asgjë zyrtare rreth raportimeve për ikje. Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë ka thënë se nuk duhet krijuar panik, derisa ka sqaruar se për detaje më shumë do të informohet nga departamenti i kufirit nëse ka pasur dalje të tilla.