Lajme

Nuk jep rezultate takimi i Brukselit për kadastrin

By FerizajPress

May 27, 2016

Kosova nuk do të fillojë procesin e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nëse nuk hiqen strukturat paralele serbe.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryengaociatore në Dialogun e Brukselit, dje gjatë ditës zhvilloi dy takime në Bruksel. Takimi i parë  është zhvilluar me përfaqësuesit e  BE-së, me ç ‘rast është biseduar për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit,  ndërsa takimi u fokusua në zbatimin e marrëveshjes për kadastrin dhe ishte trepalësh.

Në takimin bilateral me Bashkimin Evropian, ministrja Edita Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të rris angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve për kodin telefonik shtetëror për Kosovën dhe pavarësimin e sistemit transmetues të energjisë (KOSTT), marrëveshje këto që janë në tavolinën e bisedimeve më shumë se pesë vjet. Ministrja Tahiri theksoi se BE-ja duhet të kërkojë nga Serbia të zbatojë marrëveshjet e dialogut, duke hequr bllokadën për kodin telefonik dhe pavarësinë e KOSTT-it dhe të mos lejojë zvarritjet e mëtejme, sepse zbatimi i marrëveshjeve është çelësi i suksesit të këtij dialogu.

Ministrja Tahiri në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin se pa e marrë Kosova kodin e vet telefonik dhe pa pavarësimin e KOSTT-it sipas marrëveshjeve të arritura në këto fusha në vitin 2013, Kosova nuk do të fillojë procesin e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin. Ajo poashtu nënvizoi se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të realizohet vetëm pasi të hiqen në tërësi strukturat e mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.

Tahiri edhe njëherë e ka ritheksuar se ky asociacion do të formohet vetëm në bazë të ligjeve të Kosovës, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive ashtu siç e konfirmoi edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së në fjalimin e saj në Parlamentin e Republikës së Kosovës me 5 maj 2016.

Në orët e pasdites, delegacioni i Kosovës mori pjesë në raundin e ri të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për kadastrat, ku u diskutua për procesin e zbatimit të marrëveshjes për kthimin e kadastrit në Kosovë që është marrë dhunshëm gjatë luftës së vitit 1999, marrëveshje kjo që është arritur në vitin 2011.

Ministrja Tahiri pas takimit ka deklaruar se bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për kadastrin kanë dështuar me fajin e palës serbe, e cila pati tendenca që procesi i zbatimit të ketë ngjyrime etnike. Delegacioni serb ka kërkuar që dokumentet kadastrale të cilat kanë mundur të jenë të falsifikuara apo të keqpërdorura të trajtohen vetëm rastet që kanë të bëjnë me qytetarët serb, dhe se ky propozim është refuzuar kategorikisht nga ministrja Tahiri, e cila ka potencuar poashtu se  gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë para ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të ketë favorizime në baza etnike.

Tahiri në këtë takim ka folur edhe për obligimet e Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe ka theksuar se Ligji për Agjencinë Teknike për Krahasimin dhe Verifikimin e Dokumenteve që kthehen nga Serbia, e cila nuk kaloi këtë javë në Kuvendin e Kosovës, presim të miratohet javën tjetër.

Delegacioni i Republikës së Kosovës për çështjen e kadastrit kryesohej nga ministrja Tahiri dhe në përbërje edhe Gazmir Raci, këshilltar dhe koordinator politik për kadastrin, Besim Kajtazi, drejtor i zyrës ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Florije Kika, ushtruese e detyrës së zv/drejtorit të Agjencisë Kosovare të Pronës, Elona Cecelia, këshilltare politike e znj. Tahiri dhe Haxhi Bajraktari, ministër këshilltar nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.