Ferizaj

Një person i vetëm vodhi 70 mijë euro në një këmbimore në Ferizaj, ndali kamerat e internetin

By FerizajPress

April 16, 2019

Vjedhja në një këmbimore në Ferizaj, rezulton të ketë qenë e planifikuar në detaje.

Këmbimores ‘Lisi’ në këtë qytet, iu vodhën 70.000 euro gjatë natës mes së hënës dhe së martës.

KTV-ja ka mësuar detajet e hetimeve që po bëhen për këtë rast.

Në lokalin në rrugën “Dëshmorët e Kombit” është depërtuar nga mbrapa, me ç’rast është thyer muri i ndërtuar me tulla.

Më pas, është hapur arka me çelës, ku janë vjedhur në total 70.000 euro, por në valuta të ndryshme.

Një person i vetëm më pas e ka vjedhur DVR-in e kamerave, kurse ende pa hyrë në lokal, nga jashtë e kishte prerë kabllon e internetit.

Rastin e ka paraqitur në Polici vetë pronari R.SH.

Prokuroria e ka cilësuar këtë si vjedhje të rëndë, ndërsa ka konfirmuar për KTV-në se bëhet fjalë vetëm për një person.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë se janë duke e hetuar rastin dhe se njëherë nuk mund të nguten me deklarata.