Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të pandehurit E.M, i cili po dyshohet për dhunimin seksual të një vajze të mitur.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” është konfirmuar nga zyra për informim të kësaj Gjykate.
Sipas gjykatës, i dyshuari E.M për veprë penale “Dhunim” është ndaluar më 13 maj 2023, ndërsa më 15 maj 2023 gjyqtari i procedurës paraprake Sahit Krasniqi ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, duke llogaritur nga data 13 maj 2023 e cila do të zgjas deri me datë 12 qërshor 2023.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 184 par. I nenpar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 te KPPRK-së, duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale ndaj të miturës e cila është nën moshën 14-vjeçare e që në kohën e kryerjes së aktit seksual ka qenë e moshës 12-vjeçare, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurit ku sipas data bazës se policisë e cila është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës i njëjti është i dyshuar edhe për vepra tjera penale.
Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.