Ferizaj

Nisi ndërtimi i objektit të ri, Stacioni i Autobusëve në Ferizaj zhvendoset në lokacion të ri

By FerizajPress

July 17, 2020

Një nga projektet më të veçanta gjatë kësaj qeverisje dhe e domosdoshme për krijimin e zgjidhjeve urbane përgjatë qendrës së qytetit është edhe zhvendosja e Stacionit të Autobusëve në lokacion të ri. E pikërisht për këtë qëllim, qeverisja Aliu nisi implementimin e projektit për ndërtimin e Stacionit të ri të Autobusëve në rrugën “Driton Islami”. Sot, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët Lulzim Aliu dhe Arbër Bytyqi, vizituan kantierin e punës për këtë projekt ku u vu gurthemeli i ndërtesës së re të Stacionit të Autobusëve në Ferizaj.

Tejet të rëndësishëm e krejt të veçantë, e vlerësoi këtë projekt urban i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

“Sot jemi në fillimin e një projekti tepër të veçantë dhe në fakt e plotëson gjithë atë laryshi dhe shumësi të projekteve urbane që ne kemi bërë për Ferizajn, duke pasur parasysh gjithmonë që Ferizaj ka trashëguar një urbanizëm jo më të mirin, jo më të duhurin për dinamikën dhe zhvillim që ka dhe do të ketë Ferizaj, por ne hap pas hapi dhe projekt pas projekti jemi duke i dhënë zgjidhjen e drejtimin e duhur Ferizajt dhe duke e kompletuar me shumë prej këtyre projekteve në mënyrë që të ketë zgjidhje urbane. Padyshim, një prej projekteve më të rëndësishme është ky që sot filluam, pra zhvendosja e lokacionit të Stacionit të Autobusëve, në një pjesë që e lehtëson qarkullimin e autobusëve, udhëtarëve, ka lidhje shumë të mirë me qytete të tjera por mbi të gjitha hap edhe perspektivën e re për ta shndërruar Ferizajn në një qendër të rëndësishme urbane që do të kompletohet edhe me transportin urban” tha Kryetari Aliu duke shtuar se ky projekt, pra zhvendosja e Stacionit të Autobusëve në lokacion të ri është prej projekteve më të veçanta që jemi duke i filluar në këtë qeverisje.