Në fshatin Dardani të Ferizajt sot u vu gurthemeli i kopshtit të ri për fëmijë, një investim i përbashkët mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të infrastrukturës arsimore në zonat rurale të Ferizajt, duke i ofruar fëmijëve të Dardanisë dhe fshatrave përreth një ambient të ngrohtë, të sigurt dhe bashkëkohor për edukimin dhe kujdesin e hershëm fëmijëror.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, theksoi se ndërtimi i këtij institucioni është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të Komunës për t’u përgjigjur nevojave të komunitetit:
“Bashkë me Ministren Arbërie Nagavci, vumë sot gurthemelin e kopshtit për fëmijë në fshatin Dardani, bashkëfinancim i Komunës me Ministrinë e Arsimit, kërkesë kjo dhe angazhim i komunitetit të fshatrave të kësaj zone, strehë kjo e ngrohtë për qindra fëmijë të kësaj zone”, – tha Aliu.
Ndërkaq, Ministrja Nagavci vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional si një shembull të mirë të përkushtimit për përmirësimin e kushteve të arsimit parashkollor në vend, duke theksuar se çdo investim në edukimin e hershëm është investim për të ardhmen e Kosovës.
Kopshti i ri në Dardani pritet të përfundojë brenda afateve të parapara dhe do të jetë i pajisur me të gjitha kushtet moderne, përfshirë hapësira për mësim, lojë dhe zhvillim të fëmijëve në një mjedis të sigurt dhe stimulues.
Ky është një ndër projektet e shumta që Komuna e Ferizajt po realizon në partneritet me Ministrinë e Arsimit, duke vazhduar investimet në arsim si themel i zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.