Lajme

Nishani në OKB: Njohja e Kosovës, stabilitet për rajonin

By FerizajPress

September 23, 2016

“Kemi mbeshtetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shihet nga e ardhmja.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv që ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, shkruan Top Channel.

Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit.

Sot Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës juglindore e më gjerë”, deklaroi Nishani.

Duke e vënë theksin sërish tek siguria, kreu i shtetit u ndalu edhe tek sfida më e madhe më të cilën përballet sot bota, terrorizmin ndërkombëtar dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Ai siguroi dhe një herë angazhimin e Shqipërisë kundër ekstremizmit dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj, si dhe në promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.