Lajme

Nishani, Meta dhe Rama e shkelën ligjin për Thaçin

By FerizajPress

April 09, 2016

Ceremonia e dorëzimit të detyrës së Presidentit më të ri të Kosovës, Hashim Thaçit, është shoqëruar me një shkelje të protokollit nga ana e tre krerëve më të lartë shtetit shqiptar, Presidentit Bujar Nishani, kryeparlamentarit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Ftesa për këtë ceremoni nga Presidenca e re e Kosovës, i është dërguar dhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Tre drejtuesit e lartë të shtetit i janë përgjigjur pozitivisht, duke “harruar” respektimin e ligjit sa i përket ceremonialit zyrtar. Sipas kësaj norme, Protokolli i Shtetit që varet nga Ministria e Punëve të Jashtme duhet të vihet në dijeni të lëvizjeve apo udhëtimeve jashtë shtetit të drejtuesit të shtetit në mënyrë që të koordinohen e kjo në mënyrë që zyrtarët e lartë si presidenti, kryeministri apo kreu i Kuvendit të mos gjenden njëherësh jashtë Shqipërisë.

Kjo gjë është e sanksionuar pikërisht në kapitullin e katërt të ceremonialit zyrtar, pikërisht në pikën 1.11, ku thuhet: “Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”. Një nga kriteret është që të tre drejtuesit nuk duhet të udhëtojnë në të njëjtin avion apo mjet motorik të përbashkët.

E kjo ndërmerret për arsye sigurie. Kryeministri iu drejtua Prishtinës tre ditë më parë. Ndërsa dy drejtuesit e tjerë të shtetit, Nishani dhe Meta lanë Shqipërinë vetëm gjatë ditës së djeshme. Kjo është edhe shfaqja e parë publike e tre drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, pas përplasjeve të bujshme mes mazhorancës dhe Presidentit, sa i përket çështjes së tre ligjeve. Nishani brenda një harku të shkurtër kohor ktheu mbrapsht tre ligjet, “Pronat”, “Median Audiovizie”, si dhe “Për Policinë e Shtetit”, që parashikonte vendosjen e kamerave të sigurisë.

Në bazë të ligjit, tashmë të gjitha “frenat” e shtetit i kalojnë zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Kështu të gjitha institucionet shtetërore, veçanërisht ato të sigurisë kombëtare duhet të raportojnë te numri dy i qeverisë, duke përfshirë dhe informacionet sekrete. SHIU, SHISH, Ministria e Brendshme, etj., si rregull i raportojnë çdo ditë Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit. Ky është rasti i tretë që gjatë mandatit qeverisës të së majtës vihet re një shkelje dhe moskoordinim i institucioneve sa i përket udhëtimeve jashtë shtetit.

Por shkelja e Protokollit nga ana e drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar, e cila në të shumtën e rasteve vjen nga mungesa e koordinimit mes institucioneve, nuk ndodh për herë të parë. Rasti më i fundit i përket datës 24 nëntor të vitit të shkuar.

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, ndodhej në Zagreb, Kryeministri Edi Rama në Kinë, si dhe kryeparlamentari Ilir Meta ka udhëtuar drejt Italisë e më pas do të niset për një tjetër vizitë zyrtare drejt Gjermanisë. Në atë ditë, edhe një pjesë e ministrave po kryenin vizita jashtë shtetit, si ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, apo ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Konkretisht, Presidenti Bujar Nishani merrte pjesë në Samitin e jashtëzakonshëm të krerëve të shteteve të procesit të Brdo-Brijunit, i thirrur ky nga presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë. Ndërsa Kryeministri Edi Rama ndodhej në Kinë për një vizitë zyrtare, për Samitin Ekonomik, Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore. Ndërkohë që kryeparlamentari Ilir Meta kishte udhëtuar drejt Italisë, ku pritet që të ketë takime me homologun italian. Pas kësaj vizite, Meta do t’i drejtohej Berlinit për të pasur takime zyrtare. /gazeta-shqip