Ferizaj

Ngritja enorme e rasteve me COVID-19 alarmon Ferizajn

By FerizajPress

August 28, 2021

Ka shkuar në 1.813 numri i raste aktive të të infektuarve me Covid-19 në Komunën e Ferizajt, të shtunën, duke u renditur e treta në Kosovë pas Prishtinës e Prizrenit.

Një ditë më herët kjo komunë ka qenë e dyta, dhe kjo ka bërë që Shtabi Emergjent në këtë komunë të mobilizohet për të liruar hapësira publike, derisa Spitali Rajonal është stërmbushur me pacientë.

Institucionet publike u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe mbajtje të maskës sa herë që dalin jashtë shtëpisë.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi, ka thënë se një pjesë e madhe e të infektuarve janë të moshës së re dhe fëmijë.

“Si drejtori kemi marrë vendim që t’ia lirojmë emergjencën primare Spitalit për pacientë, gjithashtu kemi liruar edhe një hapësirë me marrëveshje të shëndetit mendor. Ne e dimë se si komunë kemi një popullsi shumë të madhe që nuk kërkojnë trajtim vetëm personat me COVID-19, por kemi edhe qytetarë që kërkojnë shërbime të përditshme, por me kapacitetet që i kemi po mundohemi ta përballojmë të gjithë fluksin që është duke ndodhur”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, Halit Gërbeshi, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka njoftuar se rreth 80 pacientë me Covid-19 janë të hospitalizuar, prej tyre dy në gjendje më të rëndë.

“Kemi kaluar mbi 60 deri 70 për qind të mundësive reale të shtretërve dhe e kemi rritur numrin e shtretërve, por kapacitetet tona dhe kërkesat e nevojshme pas shpërthimit kulminant kërkon shumë më shumë hapësirë, kërkon shumë më shumë mobilizim, si në hapësirë fizike, shtretër, në personel etj. Personeli është jashtëzakonisht i lodhur, por po bëjnë maksimumin”, ka deklaruar Gërbeshi.

Spitali i Ferizajt është në pritje nga niveli qendror që të aprovohet kërkesa e tyre për rritjen e numrit të stafit mjekësor, ndërkohë shkaku i mungesës së hapësirës për hospitalizim ekipet mjekësore po i rekomandojnë pacientët, të cilët nuk kanë nevojë për oksigjeno-terapi, të trajtohen në shtëpi, shkruan Koha.net