Ferizaj – 25 gusht 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit S.T dhe A.T, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale detyrimi nga neni 328 paragrafi 328 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën panele mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Të pandehurit dyshohen se kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave në emër të fajdes, andaj gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Mustaf Tahiri, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.