Ferizaj

Nesër protestojnë edhe gastronomët e Ferizajt. Nuk punohet nga ora 11:00 deri ora 13:00

By FerizajPress

July 26, 2020

Për të ngritur zërin dhe kërkesat e tyre që i vlerësojnë si legjitime dhe të arsyeshme, gastronomet e Kosovës, nesër do të organizojnë aksion simbolik dhe mbyllje një orëshe të lokaleve duke i dorëzuar simbolikisht çelësat te Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Sipas tyre, qarkullimi ditor ka rënë me 80 për qind, ndërsa puna më e madhe gjatë verës është në orët e mbrëmjes, kohë duhet të mbyllin lokalet për shkak të vendimeve qeveritare.

Më shumë se protestë, gastronomet e quajnë si aksion simbolik, ku do të paraqesin tetë kërkesat e tyre e që janë riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në mjete financiare, përkrahje për paga dhe qira edhe për së paku tre muaj, ulje të TVSH-së në 8 për qind përkohësisht, zgjatje të orarit të punës, shtyrje për deklarim të pagesave të tatimeve për së paku edhe tre muaj, mbështetje në shpenzimet e rrymës, ujit dhe mbeturinave, si dhe mbështetje në kompensim të mallit të dëmtuar.

Këtij aksioni do t’i bashkëngjiten edhe gastronomët e Ferizajt, të cilët sikurse të gjithë kolegët e tyre në mbarë vendin, thonë se janë dëmtuar shumë gjatë pandemisë dhe nga masat e reja qeveritare.

Sipas një njoftimi nga takimi I sotëm, gastronomët e Ferizajt kësaj proteste do ti bashkëngjiten nesër (27.07.2020)  me mbyllje  të restoranteve dhe kafiterive për dy orë, nga ora 11:00 deri ora 13:00.

Gastronomët e Ferizajt  thonë se kjo është protestë simbolike për të zgjatur orarin e punës nga ora 21:0 deri ora 24:00.