Lajme

Nënshkruhet Memorandumi, BE mbështet Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm

By FerizajPress

April 11, 2017

Sipas njoftimit të dërguar për media nga Ministria e Financave thuhet se ky memorandum ka për qëllim përkrahjen 3-vjeçare të BE-së për institucionet e Kosovës në përforcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rajonal dhe më gjerë në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative.

Sipas këtij Memorandumi, procesi në vazhdim do të karakterizohet me ndërmarrjen e aktiviteteve strategjike në vlerësimin e riskut në sektorët më të cenueshëm ekonomikë për t’i adresuar ato nëpërmjet masave adekuate.

“Veprimet që do të ndërmerren në të ardhmen do të dëshmojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës drejt sundimit dhe zbatimit të ligjit, një faktor kyç në përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të bërit biznes. Andaj, për të arritur sukseset e synuara është esenciale vazhdimi i bashkëpunimit efikas ndër-institucional, si dhe me sektorin privat”, thuhet në njoftim.

Bashkimi Evropian përmes projekti të saj “Mbështetje në luftimin e ekonomisë joformale, krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” vazhdon të përkrahë institucionet e Kosovës në avancimin e procesit në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, korrupsionit, pastrimin e parave, dhe ekstremizmin e dhunshëm, proces ky i ndërlidhur ngushtë me integrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.