Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion në Kosovë (IOM), kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të migracionit, me theks të veçantë “Kthimi të asistuar vullnetar në ri-integrim”(KAVR).
Ky Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa dhe znj. Tajma Kurt, shefe e Misionit të IOM në Kosovë.
Me këtë rast, u tha se ky memorandum i bashkëpunimit është shënjues i një bashkëpunimi të frytshëm, shumëvjeçar, ndërmjet MPB-së dhe IOM-it dhe partneritetit në fushën e menaxhimit të migracionit.
Kthimi i asistuar vullnetar dhe ri-integrimi është program i cili promovon dhe përqendrohet në ofrimin e asistencës migrantëve për tu kthyer vullnetarisht në vendin e origjinës dhe si i tillë, ai paraqet një ndër iniciativat dhe objektivat kryesore të IOM për përkrahje dhe zhvillim të sistemit të migracionit të fokusuar në mbrojtje të të drejtave të migrantëve dhe kthimin e tyre të dinjitetshëm në vendin e origjinës.
Në kuadër të kësaj iniciative është përfshirë edhe një nen mbi KAVR në Ligjin për të Huajt dhe një kapitull në Udhëzimin administrativ për kthimin e të huajve me qëndrim të paligjshëm në Republikën e Kosovës.
Kësisoj, migrantët që qëndrojnë në Kosovë dhe dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, tani mund të përfitojnë nga Programi i IOM-it që përfshinë këshillimin para nisjes, asistencë shëndetësore, asistencë për pajisje me dokumente relevante të udhëtimit, biletave të aeroplanit, përcjelljeje gjatë udhëtimi dhe në vendet e transitit, pritje dhe transport deri në vendin e destinacionit, akomodim si dhe përkrahje për ri-integrim të qëndrueshëm në vendin e origjinës për raste ku kjo është e nevojshme.
Kjo iniciativë është marrë në vazhdën e shumë iniciativave tjera të ndërmarra nga zyra e IOM-it në Kosovë në kuadër të projektit “Mbështetja Rajonale për Menaxhimin sensitiv të Migracionit me fokus tek mbrojtja në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (projekt i cili implementohet në bashkëpunim më Frontex, EASO dhe UNCHR), që ndër të tjera vlen të përmenden edhe zgjerimi i bazës ekzistuese të të dhënave për MPB/DSHAM me modul të ri statistikor i cili do te ndihmojë në prodhimin e raporteve periodike në përputhje me standardet e EuroStatit, mbi Popullatën dhe Migracionin, Lejet e Qëndrimit dhe Azilin, pajisje dhe trajnime për shfrytëzimin e Platformës rajonale online për shfrytëzimin e shërbimeve të përkthimit për gjuhët e rralla të përdorura nga migrantët, përkrahje në hartimin e Strategjisë Nacionale të Migracionit 2019-2013, printimin e ligjeve dhe materialeve promovuese relevante.