Ferizaj

Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga zjarri dhe fatkeqësitë tjera

By FerizajPress

June 06, 2018

Gjatë ditës, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Zjarrfikësve Vullnetarë “Ferizaj” me qëllim realizimin e projektit “Mbrojtja nga Zjarri” përmes së cilës do të bëhet mbrojtja e jetës së njerëzve dhe të mirave materiale prej rrezikut nga zjarri, fatkeqësive elementare dhe fatkeqësive tjera natyrore – masovike.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh i kënaqur për këtë marrëveshje, për shkak se tashmë për një fazë do të eliminohet problemi i stafit në kuadër të zjarrfikësve që operojnë në territorin e Ferizajt, si dhe ky shërbim do t’i ofrohet me një shpejtësi rekord qytetarëve në rastet e rënies së zjarrit në pronat dhe pasurinë e tyre.

Në anën tjetër, Luan Salihu, Kryetar i kësaj shoqate u shpreh se me këtë marrëveshje do të angazhohen një numër zjarrfikësish vullnetarë të cilët do të ofrojnë këtë shërbim në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të zjarrit.