Ministria e Arsimit nuk ka në plan futjen e lëndës së edukimit seksual nëpër shkolla.
Emrat e organeve gjenitale të njeriut nuk janë përmendur asnjëherë në këtë klasë e as në tjerat ku jep mësim Ibrahim Biringjiku, në shkollën fillore “Idriz Barani”, në Klinë të Epërme të Skenderajt.
Ndonëse ky arsimtar u mëson nxënësve lëndën e biologjisë ai shpesh kalon faqet me mësimet kur flitet për organet riprodhuese dhe format e frytnimit e lerë më kur përdorën emërtime për organet femërore e mashkullore.
Arsimtari sqaron më sipërfaqësisht mësimet që prekin këto tema, ndërkaq shprehet se nuk është i gatshëm t`u flasë nxënësve për edukimin seksual, si shkak i mentalitetit të banorëve të fshatit.
Informata më të detajuara për shëndetin seksual nxënësit pranojnë se nuk marrin nga shkolla.
Ata madje shprehën se as që duan të mësojnë për këto tema.
Edhe drejtori i shkollës pranon që temat e tilla janë ende tabu, sidomos nëpër zonat rurale.
Ai vetë kishte dhënë mësim në lëndë që preknin këto dhe pranon që nxënësit nuk janë të gatshëm t`i dëgjojnë.
Megjithatë, një lëndë që prek shëndetin seksual thotë që do ishte mirë t`a kishin pasi është e nevojshme që nxënësit t`a njohin trupin e tyre.
Pak më në qendër të qytetit në shkollën “Shaban Jashari”, drejtori thotë që edhe nëse arsimtarët kalojnë fletët që nga nxënësit konsiderohen “të pista”, ata prapë mund të gjejnë mënyra tjera për të marrë informacione për edukimin seksual, veçse jo në shkollë.
Por njëjtë si kolegët e saj nga Skenderaj nuk veproi asnjëherë arsimtarja e Biologjisë në Shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë.
Fatime Koka-Plakolli thotë që në detaje atë çka përmban libri u mundua t`a sqarojë në vitet e karrierës së saj, ndërkaq nëse nxënësit kërkonin informacione shtesë , ajo ishte e gatshme t`ua japë ato.