Ferizaj

Në UShAF u mbajt takimi i radhës i Konferencës së Rektorëve

By FerizajPress

January 30, 2024

Sot, në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u mbajt takimi i radhës i Konferencës së Rektorëve, ku rektorët e universiteteve publike të Kosovës u pritën nga kryesuesi i kësaj Konference, Prof. Dr. Agron Bajraktari, rektor i UShAF.

Në këtë takim u diskutuan disa çështje, ku fillimisht diskutimet u fokusuan në mbarëvajtjen e mësimit, si: përfundimi i semestrit dimëror, mbajtja e provimeve në afatin e Janarit dhe përgatitjet për fillimin e semestrit veror të këtij viti akademik. Gjithashtu, temë diskutimi me rëndësi të veçantë ishte akreditimi institucional dhe i programeve, ku disa universitete në këtë vit iu nënshtrohen vlerësimit për akreditim institucional dhe disa vlerësimit për akreditim dhe riakreditim të programeve. Po ashtu, u diskutuan dhe u paraqitën përvoja rreth procedurave dhe sfidave që paraqiten gjatë procesit të akreditimit si atij institucional ashtu edhe për programe. Të gjithë rektorët potencuan se universitetet kanë bërë përgatitjet e duhura për të iu nënshtruar procedurave të akreditimit.

Përveç tjerash, në Konferencë u diskutua edhe për nevojën e profilizimit të Universiteteve Publike, ku të gjithë rektorët ishin të pajtimit se profilizimi është imperativ i kohës dhe duhet të punohet që programet aktuale të rimodelohen dhe t’i përshtaten nevojave të tregut, në mënyrë që të jenë atraktive për studentë dhe kompetitive në raport me rajonin dhe më gjerë.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua lidhur me shtesat e stafit akademik dhe administrative, ku Rektorët potencuan se ligji i ri i pagave ka sjellur disa sfida por shtesat e stafit akademik dhe atij administrative, sipas tyre janë rregulluar me akte të brendshme të Universiteteve bazuar në ligjin e pagave dhe aktet tjera nënligjore që burojnë nga ky ligj.

Temë e rëndësishme diskutimi ishte edhe pranueshmëria e punimeve shkencore të stafit akademik. Rektorët theksuan se kanë pasur disa sfida ku Agjencia për Akreditim e Kosovës, përkatësisht Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka dhënë vërejtje rreth punimeve shkencore dhe tani më janë në fazën e plotësimit të dokumentacioneve për të argumentuar dhe mbrojtur programet, në mënyrë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të sjell vendime pozitive.