Ferizaj

Në Stagovë dhe Runjevë përkujtohen dëshmorët Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe 13 martirët e rënë për liri

By FerizajPress

May 21, 2016

Në fshatin Stagovë, është përkujtuar dëshmori Ekrem Gudaqi dhe 13 martirët e rënë më 21 maj të vitit 1999: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeve, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. Nënkryetari i Komunës,së Kaçanikut Remzi Elezi, tha se qyteti i Kaçanikut edhe nëpër histori njihet si një qytet i lashtë e i lavdishëm. “ Në secilën periudhë të vështirë të atdheut, Kaçaniku i fali Kosovës bijtë dhe bijat më të mirë që kishte në luftën për çlirim nga okupuesi” tha mes tjerash nënkryetari Elezi. 

Ndërkohë Bekim Gudaqi duke evokuar kujtimet nga kjo ngjarje tha se atë ditë beteje përveç rënies së dëshmorit Ekrem Gudaqi e 13 martirëve, janë plagosur: Ziadin Mani, Rrahim Sadiku e Qemajl Ahmeti (ushtarë) dhe Beredin dashi, Shukri Dashi, Shefije Brruti, Lirije Krraba, Mevlide Sallahu, Nerimane Gudaqi e Fikrie Gudaqi. Hajrush Kurtaj, ish zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami” evokoi kujtimet nga betejat e lavdishme të Kaçanikut, duke u ndalur ne atë të 21 majit për të vazhduar pastaj me betejën e 25 majit.

Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti dhe falënderoi vajza e dëshmorit Ekrem Gudaqi zonja Nerxhivane Gudaqi Dullovi. Në këtë manifestim përkujtimor është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës fillore “Agim Bajrami” dhe nga Shoqëria Kulturore Artistike “ Tingujt e Vendlindjes” Stagovë, ndërkaq më pas janë vendos kurora lule pranë bustit të komandantit Agim Bajrami dhe janë bërë homazhe te kompleksi memorial i dëshmorëve. Kurora lulesh janë vendosur edhe pranë pllakës përkujtimore të dëshmorit Ekrem Gudaqi e 13 martirëve të rënë më 21 maj 1999. Në 17 vjetorin e rënies, është nderuar në Runjevë dëshmori Kemal Thaqi. Pranë lapidarit të ngritur në fshatin Runjevë janë kurora lulesh.