Në vitin që lamë pas në Spitalin e Ferizajt, në repartin e Gjinekologjisë u lindën 1508 foshnje. Sipas drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, këtë vitë ka pasur më shumë lindje se vitin paraprak 2017 ku në repartin e Gjinekologjisë kishin lindur 1486 foshnje.
Sipas statistikave që ka ky repart në vitin 2018 u lindën 1508 foshnje apo 22 më shumë se vitin 2017.
Por kjo nuk mund të merret si një statistikë e saktë e lindjeve të përgjithshme në Ferizaj pasi ka shumë raste, e sidomos lindjet e para orientohen në QKUK, në Prishtinë.
Sidoçoftë rritja e numrit të lindjeve në Spitalin e Ferizajt ka dy arsye. Ajo që ka filluar të rritet besimi në stafin profesional të repartit të gjinekologjisë por edhe rritja natyrale e lindje në regjionin e Ferizajt.
Në anën tjetër një aktivitet të shtuar ka pasur edhe reparti i kirurgjisë i cili ka kryer një numër shumë më të madh të operacioneve kirurgjike.
Në repartin e Kirurgjisë në vitin 2018 janë kryer 1161 operacione, ku 975 kanë qenë operacione kirurgjike, kryesisht abdominale, dhe 186 operacione ortopedike.
Shefi i repartit të kirurgjisë në Spitalin e Ferizajt, Sylejman Metushi, këtë e konsideron si një sukses bazuar në kushtet dhe kapacitetet momentale që disponon ky spital.
“Aktualisht jemi punomë në kushte të vështira pasi kemi mungesë të shtretërve si dhe vetëm një sallë të operacionit. Me gjithë këtë gjatë ditëve të punës në këto kushte janë kryer prej 5 deri 11 operacione në ditë.” ka thënë Sylejman Metushi.
Metushi është optimistë se me ndërtimin e Spitalit të ri të Ferizajt do të jenë në gjendje që të ofrojnë më shumë shërbime .
“Në Spitalin e ri krahas kirurgjisë abdominale do të ketë reparte në vete Ortopedia, Urologjia, ORL, Oftamologjia, kirurgjia e fëmijëve, e ku pritet që të gjitha këto të kenë shtretërit dhe sallat e operacionit për secilin repart” tha Metushi.
Aktualisht në repartin e kirurgjisë janë të angazhuar 5 kirurg, 3 anesteziolog, 4 ortoped dhe një urolog