Në Shkup theren kurbanë falënderimi për zmbrapsjen e grusht shtetit në Turqi!

By FerizajPress

July 29, 2016

Shoqata e Esnafëve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit theri kurbanë falënderimi për zmbrapsjen e tentativës për grusht shteti në Turqi.

Para therjes së kurbanëve që u relizua në oborrin e Xhamisë së Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, kryetari i Shoqatës së Esnafëve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, Bejtullah Morina u prononcua për gazetarët, me ç’rast luti Zotin për mëshirë ndaj dëshmorëve të rënë gjatë tentativës së grusht shtetit në Turqi, transmeton lajmi.net.

Duke u shprehur se jo secili e ka fatin të bie dëshmorë dhe se shpërblimi për këtë është i ndryshëm, Morina u shpreh se kanë vendosur të therin kurban me rastin e shpëtimit të Turqisë nga grusht shteti.

Morina uroi që ngjarja e tillë të mos i përsëritet asnjëherë më Turqisë. “Zoti i dënoftë puçistët”, tha ai në shenjë reagimi.

“Dashtë Zoti që kjo ngjarje të jetë mësim për ne dhe të veprojmë para se kësolloj gjërash të shfaqen. Qytetarët e Turqisë e dhanë provimin. Ky pra është popull me plotëkuptimin e fjalës. Shtetin e ruan populli”, u shpreh më tej ai.

Ndërkaq, si mesazh mbështetjeje për presidentin Recep Tayyip Erdoğan, Morina theksoi se “Nëse vazhdon kështu, Turqia do të zhvillohet edhe më shumë. Edhe ne gëzohemi sa më shumë që Turqia përparon. Ne nga Ballkani gjithmonë do të japim mbështetje dhe do të jemi në anën e Turqisë”, tha ai.

Gjithashtu u bë e ditur se kurbanët e therur do të shpërndahen për jetimët dhe familjet e varfëra. Po ashtu, në xhami u bënë lutje për të ata që humbën jetën gjatë tentativës së grusht shtetit ndërsa pas namazit të xhumasë u shpërnda pilaf. /Lajmi.net/

.