Ferizaj

Në prag të festës së Kurban Bajramit, me gjëra ushqimore janë ndihmuar 30 familje skamnore të qytetit të Ferizajt

By FerizajPress

August 25, 2017

Ferizaj.25.08.2017. Në prag të festës së Kurban Bajramit, me gjëra ushqimore janë ndihmuar 30 familje skamnore të qytetit të Ferizajt

Musli Murseli, një qytetar nga fshati Komogllavë i Ferizajt, i cili tash e sa vite jeton me familjen e tij ne Zvicër, u ka dalë në ndihmë disa familjeve skamnore ferizajase me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Ai tha se çdo vit kur vie në Kosovë e prek thellë në shpirt varfëria, andaj mobilizohet për të blerë gjëra ushqimore e për t’ua thënë familjeve në nevojë Me këtë rast ai tha se ky gjest duhet të reflektohet edhe te bashkatdhetarët e tjerë, në mënyrë që sadopak të zbutet varfëria në këto familje. “Besoj se këto ndihma nuk janë të fundit, ndërsa vetë mënyra e shpërndarjes le të shërbejë si nxitje edhe për të tjerët që të shtrijnë dorën e solidaritetit. Bashkëatdhetarët tanë kanë mundësi dhe duhet të kenë më shumë humanitet për të realizuar sa më shumë iniciativa të tilla” tha Musli Murseli. Përzgjedhjen e familjeve të cilat u ndihmuan, e ka bërë Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Ferizaj. Drejtori komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale Burim Karameta e vlerësoi shumë human këtë akt i cili ndikon në zbutjen e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen disa familje. “Është me të vërtet për çdo lavdatë iniciativa që e merr dy herë radhazi bashkëatdhetari ynë Musli Murseli. Ai është një shembull shumë i mirë se si duhet të vepruar për t’i gëzuar familjet që vërtetë kanë nevojë. Bashkë do të mundohemi që projekte të tilla humanitare të jenë sa më të shpeshta” deklaroi drejtori Karameta.

Edhe familjet të cilat kishin ardhur për t’i marrë ndihmat thanë se po ndihen shumë mirë që janë harruar as në prag të kësaj feste. Ndërkaq përfaqësues të drejtorisë për Shëndetësi e Mirëqenie sociale potencuan se gjatë ditëve në vijim do të ketë edhe donacione të tjera për familjet në nevojë.