Ferizaj

Në mungesë të morgut, punohet edhe nëpër kufoma

By FerizajPress

May 03, 2016

Duke pritur spitalin e ri, ka mbetur peng edhe ky projekt

“Vërtet është e rëndë të punohet në kushte jo të mira e hapësira të vogla. Ne kemi raste të shpeshta kur pacientët me probleme të ndryshme edhe ndërrojnë jetë këtu, por thjesht nuk kemi ku t’i lëmë derisa të merren nga familjarët”, thotë Tahiri

Spitali rajonal i Ferizajt, që nga paslufta kur u themelua si institucion shëndetësor i shërbimit sekondar, përballet me mungesën e një morgu për vendosjen e atyre që ndërrojnë jetë këtu. Specialisti i shërbimit emergjent, Avdi Tahiri, thotë se shpesh është gjendur në situata të palakmueshme kur ata që kanë ndërruar jetë i ka pasur para syve, por është dashur të punojë edhe në rastet e tjera. Edhe një kthinë e caktuar për këtë qëllim, sipas tij, nuk i plotëson as kushtet minimale për të respektimin e të vdekurve.

“Vërtet është e rëndë të punohet në kushte jo të mira e hapësira të vogla. Ne kemi raste të shpeshta kur pacientët me probleme të ndryshme edhe ndërrojnë jetë këtu, por thjesht nuk kemi ku t’i lëmë derisa të merren nga familjarët”, thotë Tahiri, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

S’ka gjasa për morg të ri

Ndërsa në drejtorinë e Spitalit Rajonal thonë se hapësira e ngushtë ka ndikuar që deri më tani të mos mund të ndahet një pjesë për morg të spitalit. Duke pritur spitalin e ri, ka mbetur peng edhe ky projekt.

“Është e padiskutueshme nevoja se sa na duhet neve si spital një morg për rastet që fatkeqësisht përfundojnë me vdekje, por jemi në hall me hapësirën e ngushtë. Ne nëse hapim morg duhet të mbyllim shërbime të tjera”, deklaron Enver Shaqiri, zëdhënës i Spitalit të Ferizajt.

Mjekët përballen me vështirësi të shumanshme

Shpesh janë dëgjuar edhe ankesa të pacientëve për këtë problem, ndërsa mjekët e pohojnë e kanë të vështirë t’u kthejnë përgjigje. Kumtimi i lajmit për vdekje thuhet se është mjaft i rëndë e kur i shtohen kësaj edhe kushtet e këqija, kjo punë paraqet sfidë në vete.

“Vetë kumtimi i lajmit të keq është sfidues dhe kur kësaj i shtohen edhe kushtet e rënda të punës, kjo çështje nuk do shumë koment, prandaj është mirë të mendohet të lëvizen gjërat për përmirësime  edhe në këtë drejtim”, pohon Avdi Tahiri, udhëheqës i shërbimit emergjent.

I gjithë stafi dhe qindra pacientë në ditë thuhet se frekuentojnë në një hapësirë prej 4 mijë metrash katrorë. Shumë investime e projekte të tjera është thënë se kanë mbetur peng i ndërtimit të spitalit të ri, e për të cilin tash e një kohë të gjatë nuk ka ndonjë informacion se kur do të mund të fillojë. Disa konkurse për projektin e spitalit të ri kanë dështuar, ndërsa nuk ka ndonjë lajm as nga institucionet qendrore pse u bllokua ky projekt i nevojshëm e i shumëpritur. (Kosova Sot)