Lajme

Në kërkim të konsensusit politik, Kuvendi vazhdon të hënën debatin për dialogun

By FerizajPress

July 28, 2018

Tryezat e përbashkëta me partitë politike, të cilat nisen me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, shkruan lajmi.net.

Të tilla tryeza organizuan edhe PDK-ja, Vetëvendosja e PSD-ja, mirëpo asnjëra nga këto nuk është se u karakterizua me ndonjë marrëveshje ose bashkërendim të veprimeve të spektrit politik.

Insistimi kryesor i opozitës në Kosovë për këtë proces është se Kuvendi duhet ta ketë rolin kryesor në bisedimet me Serbinë.

E se Kuvendi do ta ketë fjalën e fundit në procesin e dialogut, e tha ditë më parë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Një mundësi e tillë për njohjet që do t’i vijnë Kosovë në fund të dialogut nuk do t’i ofrohet shpesh Kosovës, apo anëtarësimin në Organizata ndërkombëtare, siç është OKB-ja. Prandaj ftesa ime është ejani të gjithë së bashku të dialogojmë, dakordohemi për marrëveshjen, të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës, Parlamenti e ka fjalën e fundit, askush nuk mund ta tejkaloj parlamentin dhe sa presim edhe gjashtë vite, apo ndoshta me dekada të punojmë së bashku në mënyrë që në fund Serbia të jetë e detyruar për ta njohur Kosovën”, deklaroi Thaçi.

Kjo çështje tashmë vetëm sa ka filluar të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ishte një mocion procedural i opozitës, i cili më pas u votua edhe nga grupet parlamentare, ai që futi në rend të ditës edhe temën e dialogut me Serbinë.

E debati i ndërprerë dje në Kuvend për shkak të vdekjes së veprimtarit, Adem Demaçi, do të vazhdojë të hënën.

Përveç diskutimeve mbi dialogun me Serbinë, Kuvendi i Kosovës do të ketë edhe këto pika të rendit të ditës:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-065 për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së

pajustifikueshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës,

Propozimi i grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për

zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Shqyrtimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,

Shqyrtimi i Raportit vjetor për vitin 2017 i Autoritetit Rregulltiv të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.