Për Kaçanikun dita e sotme ishte një ngjarje tejet e rëndësishme dhe me vlerë historike. Në 17 vjetorin e rënies heroike sot në Kaçanik me një ceremoni solemne, është inauguruar shtatorja e Heroit të Kombit Qamil Ilazi- Komandante “Bardhi”, e vendosur në qendër të qytetit, ngjarje kjo e cila ka shënuar kthimin e Komandant Bardhit pas 17 vitesh në qytetin e sakrificës tashmë i skalitur në bronz për të mbetur i përjetësuar gjithmonë në të.
Me këtë rast, në këtë tubim të organizuar merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfaqësues nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë, familjarë të heronjëve, mysafir të shumtë dhe qytetarë tjerë, të cilët shënuan vlerën historike të kësaj dite.
Inaugurimin e shtatores së Komandant “Bardhit’ e bën kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësues nga delegacioni i Shqipërisë, familjarë dhe të pranishëm tjerë.
Ndërkaq, fillimisht pjesëmarrësve ju drejtua, Xhelal Gashi, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Kaçanikut dhe njëherë bashkëluftëtari i Komandant “Bardhit”, i cili tha se sot jemi tubuar për t’i uruar mirëseardhje Komandantit, i cili kthehet kësaj radhe i skalitur në bronz, dhe i cili ishte i bindur në idealin e atdhedashurisë që në rinin e hershme.
Në tubimin e organizuar me rastin e zbulimit të shtatores së Heroit të Kombit foli edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i cili duke uruar të pranishmit për zbulimin e shtatores së Komandantit, ka çmuar lartë veprën e tij dhe te gjithë të rënëve të tjerë për çlirimin atdheut ndërkohë që u shpreh i nderuar në inaugurimin e shtatores së njërit prej figurave më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua edhe përfaqësuesi nga delegacioni i Shqipërisë Gjeneral Sabit Brokaj, i cili në mes tjerash ka potencuar qëllimin e këtij tubim me idenë për të lartësuar heroizmin e heronjëve të Lirisë.
Në këtë ceremoni ka folur edhe kryetarja e e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, si dhe përfaqësuesi nga Familja Jashari, Rifat Jashari, kurse të pranishmit i ka përshëndetur edhe vëllai i Komandantit, doktor Njazi Ilazi.
Më pas, të pranishmit në këtë tubim madhështor kanë bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Kaçanik dhe kanë vendosur buqeta lulesh pranë shtatorëve të heronjve Agim Bajrami dhe Komandant “Bardhi” në parkun e qytetit.
Në këtë ceremoni të organizuar me rastin e inaugurimit të shtatores së Heroit u shfaq edhe një program me çaste të ndryshme muzikore dhe artistike.