Ferizaj

Në Jezerc u mbajt Akademi Solemne në shënimin e përvjetorit jubilar të “Epopesë së Jezercit”

By FerizajPress

September 28, 2018

Ferizaj.28.09.2018. Në Jezerc u mbajt Akademi Solemne në shënimin e përvjetorit jubilar të “Epopesë së Jezercit”

Qindra qytetarë, morën pjesë në fshatin Jezerc në Akademinë Solemne të organizuar për shënimin e përvjetorit jubilar të “Epopesë së Jezercit”. Në këtë manifestim mori pjesë, kreu i qeverisë lokale të Ferizajt, Agim Aliu, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli dhe deputetë të tjerë, kryetarë dhe ish kryetar komunash, zëvendësministra, ish komandati i ZON të Neredimes, Shukri Buja, drejtues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, invalidë, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të luftës.

Hapjen e kësaj akademie e bëri numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, i cili tha se në Jezerc sot, po kujtojmë jubileun e një momenti të lavdishëm të historisë sonë, që bëri ndryshimin e madh për popullin shqiptar.

“Sot e njëzet vjet më parë, çdo fije bari të gufonte në Jezerc, freskonte madhështinë e synimit tonë. Ndërsa, çdo gjethe që binte në tokë atëbotë, ngulte edhe më thellë rrënjëve, vendosmërinë e brezit luftëtar, për sendërtimin e idesë së virtytshme të lirisë. Nëntë djemë, baballarë e vëllezër tanë, në ditën e 28 shtatorit të vitit 1998, nën dëshminë e pashlyeshme të gurëve e rrënjëve të kësaj ane, ranë heroikisht në luftën për lirinë. Ata heronj, sigurisht që kishin edhe ëndrrat e tyre për jetën, familjen, rrethin. Por, dimensioni i ndërgjegjes së tyre, prekte lartësinë e pafund të një qielli dhe thellësinë e paarritshme të zjarrit. Ndaj, heronjtë tanë të 28 shtatorit të vitit 1998, këtu, në blerimin jetëdhënës të Jezercit, ndërprenë hapin e tyre, për t’i dhënë kombit tonë mundësinë e ecjes pa frikë drejt përjetësisë historike. Lufta e UÇK-së, nuk ishte vetëm një kundërshtim ose kryengritje e popullit tonë, kundër një kërcënimi shfarosës të kohës. Lufta e UÇK-së, mbi të gjitha ishte një reagim i virtytshëm i kombit tonë, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e kombëtar dhe njëkohësisht, edhe një mësim për botën e qytetëruar rreth botëkuptimit të natyrshëm e të thellë të nocionit të lirisë. Lufta e UÇK-së, krahas vendosmërisë për një mbijetesë fizike të kombit tonë, ishte edhe një shpërfaqje e dinjiteshme e shkallës së lartë të emancipimit të tij. Një popull i emancipuar, nuk mbahet kurrsesi brenda një gëzhoje ngulfatëse të robërisë. Një sakrificë e tillë e heronjve tanë dhe e bashkëluftëtarëve të tyre të gjallë, shumë prej të cilëve me plagë lufte, është frymëzimi më meritor që na mbledh të gjithëve bashkë dhe na bën të ndjehemi të përgjegjshëm në rrugëtimin e mëtutjeshëm, drejt zhvillimit e progresit në të gjitha fushat. Kokën e ulim vetëm para flamurit dhe janë pikërisht heronjtë flamuri ynë, në ngjyrën e të cilit ne kemi lexuar ëndrrat tona dikur dhe të ardhmen e ndritur të sigurt sot”, ka përfunduar Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ish eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Elmi Reçica tha se nga largësia kohore dhe pikëpamja historike, Betejën e Jezercit mund ta portretizojmë si betejë emblematike që paraqet qendresën e palëkundur e heroike të luftëtarëve të lirisë.

“Me shumë të drejtë, mund të themi dhe ta përshkruajmë Epopenë e Jezercit të shtatorit të vitit 1998, si ngjarje me rëndësi historike në vargun e ngjarjeve heroike të kombit tonë. Në Jezerc, pikërisht 20-vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftëtarët e saj më të spikatur, po luftonin të palëkundur, me trimëri, me këmbëngulje dhe me qëndresë të paepur përballë sulmeve të forcave ushtarake, policore dhe gjithë mekanizmit të shtetit represiv serb i cili po përdorte në këtë luftë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në Jezerc po zhvillonte një nga betejat më të lavdishme dhe tejet të rëndësishme të saj, luftëtarët e lirisë po zhvillonin luftime të ashpra në të gjitha anët e Jezercit, UÇK-ja po bënte përpjekje dhe luftë titanike për ta mbrojtur Jezercin si njërën nga pjesët më të rëndësishme të UÇK-së, trungun e Nënzonës së atëhershme Operative të Nerodimes, e cila lidhte pothuajse të gjitha pjesët tjera të UÇK-së, që shërbente si kanal komunikimi e lëvizjeje, Jezerci, paraqiste nyje shumë të rëndësishme të lidhjes së territoreve të cilat i kontrollonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës me njësitë e ndryshme mbështetëse, gjithashtu ishte një pozicion strategjik për planet dhe projektet e UÇK-së. Ushtria, policia dhe të gjithë mekanizmat represiv të shtetit serb, të pajisura me armët më moderne, u dislokuan në dhjetëra pozicione me një numër të madh të forcave të tyre në drejtim të Jezercit, me idenë e shpartallimit dhe të zhbërjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vazhdën e organizimit të operacionit masiv ushtarak serb që njihet si ofansiva e verës së vitit 1998 e forcave serbe ndaj UÇK-së. Beteja e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbrojtjen e Jezercit, po zhvillohej në shumë pozicione, në shumë istikame, ajo po vazhdonte pandërprerë për ditë të tëra, përkundër vështirësive të mëdha në mungesë të armatimit dhe municionit, betejë e pabarabartë në numër të forcave dhe në armatim, Jezerci qe bërë arenë e përgjakshme përballë mijëra forcave serbe, rezistenca që bënë ushtarët e UÇK-së ishte e jashtëzakonshme, jehona e kësaj beteje po frymëzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmonte se UÇK-ja nuk mund të zhbëhej, ajo ishte gjallë dhe e fuqishme. Epopenë e Jezercit, gjatë luftimeve heroike gjashtë ditore, e përbën vepra e lavdishme me rëndësi të veçantë historike, vepra më e lartë e rënies në altarin e lirisë së nëntë dëshmorëve të kombit: vëllezëve Gursel dhe Bajram Sulejmani, Sejdi Sejdiu, Kemajl Hetemi, Nazim Terziu, Bashkim Vishi, Sali Baliu, Lulzim Guta dhe Arsim Zeqiri. Forcat serbe, në shenjë hakmarrjeje, kanë vrarë qytetarë dhe civilë të pambrojtur, Sejdi Halilajn e paralizuar dhe martirin Hamdi Biba. Epopenë e Jezercit, nga largësia kohore dhe pikëpamja historike mund ta portretizojmë si betejë emblematike që paraqet qendresën e palëkundur e heroike të luftëtarëve të lirisë për të mbrojtur pozicionet dhe civilët e pambrojtur, artin e luftës, lavdinë, vendosmërinë e UÇK-së dhe vullnetin për liri.Qytetarë të nderuar dhe të respektuar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është lëvizja më e rëndësishme dhe më me peshë që kanë krijuar shqiptarët, UÇK-ja është institucioni që i ka dhënë më së shumti këtij vendi dhe qytetarëve të tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është Ushtria e cila ka rezultuar që të jetë më e suksesshmja dhe më rezultativja në gjithë historinë tonë të lavdishme dhe të bujshme” tha deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica.

Edhe komandati i Nënzonës operative të Nerodimes, Gjeneral Imri Ilazi në fjalën e tij në këtë Akademi Solemne duke cituar një thënie të heroinës sonë Hyrë Emini, tha se në këtë betejë, populli dhe çlirimtarët u bënë tok të pandarë kundër pushtuesit serb.

“Gjithmonë më bie ndërmend, thënia e heroinës sonë, Hyrë Emini që u flijua për trojet shqiptare në Maqedoni, e cila në një tubim përkujtimor kishte thënë: “Para heronjve dhe dëshmorëve nuk mjafton vetëm të përkulemi apo t’i vizitosh varret e tyre por për të nderuar ata duhet të ecësh rrugës së tyre. Nuk po gjej thënie më të fuqishme sesa kjo për t’u justifikuar kjo ditë e dëshmorëve dhe se familjarët duhet të jenë ballëlartë që ne duhet të përkulemi para tyre dhe sot është një ditë e veçantë që na kujton Epopenë e Jezercit, na rikthen kujtesën për gjëmat e maleve të Jezercit, na kujton vendosmërinë e luftëtarëve për të qëndruar të palëkundur në pozicionet tona mbrojtëse. Me 400 luftëtarë nuk u trembën për disa ditë me radhë nga topat e armikut, nga tankset që gjëmonin, nga gjylet dhe bombardimet që shponin dhe shqyenin malet e Jezercit, nga helikopterët që vepronin nga lartë, nga raketat që bënin gërmadhë në pyje dhe livadhe, nga propaganda e Serbisë se nuk do të mbetet njeri i gjallë në Jezerc që deklaronte edhe Parlamenti i Serbisë, se stacioni i fundit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc do të shuhej. Serbia kishte harruar se në Jezerc janë 400 luftëtarë e 1800 civilë si një trup i përbashkët nuk dorëzohet për së gjalli para armikut dhe ashtu ndodhi me datat 26,27 dhe 28 shtator 1998, kur populli dhe çlirimtarët u bën tok të pandarë” tha Gjeneral Ilazi.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Haradinaj, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

“Jemi këtu për të nderuar rënien heroike të Gursel e Bajram Sylejmani, Sejdi Sejdiut, Kemajl Hetemi, Lulzim Gutës, Sali Baliut, Arsim Zeqirit, Bashkim Vishit, Nazim Terziut. Kosova sot është e lirë prej gjakut të derdhur të të gjithë bijve dhe bijave tonë, gjeneratë pas gjenerate që nuk kursyen jetën për të çliruar vendin nga një regjim i egër dhe barbarë i pushtuesit serb. Lufta e drejtë çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vulën e përjetshme të atdhedashurisë, heroizmit, sakrificës dhe flijimit të heronjve që i falën jetën atdheut tonë’ tha ministri Reçica.

Me një fjalë rasti, të mbledhurve për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit, në këtë Akademi Solemne iu drejtua edhe Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja.

“Vendosja në Jezerc ishte e planifikuar me strategji. Nënzona Operative e Neredimes fillet e saj i ka me emërimin e Komandantit të Nënzonës Operative të Neredimes më 6 korrik të vitit 1998. Planifikimi i shtrirjes në Jezerc dhe në fushën e Burrnikut ishte në takimin që është mbajtur në Komandën e Nënzonës Operative të Neredimes, me prezencën e komandantëve të njësiteve për Ferizaj, Kaçanik dhe të eprorit Elmi Reçica. Komandanti i njësiteve për Ferizaj, Imri Ilazi, komandanti i njësiteve për Kaçanik Agim Bajrami dhe është planifikuar që të shtrihemi në pjesën Jezerc-Burrnik që të ndërlidheshim edhe territorialisht për furnizim me armë dhe të përgatiteshin njësitë. Fillimi i betejës, fillimi i Epopesë ndodhi para se ne të vendoseshim. Ndodhi në betejën e parë ku ra dëshmor Nazmi Uksmajli dhe u plagos Komandanti i Njësiteve për Ferizaj, zëvendëskomandanti i ZON- Neredimes, Imri Ilazi, që na detyruan ne ta përshpejtojmë operacionin dhe operacioni është udhëhequr drejtpërdrejt nga komandanti i nënzonës. Beteja e lavdishme, Epopeja e Jezercit që zgjati tri ditë ishte ajo që i dha vulën jo vetëm si Epope e Jezercit por i dha vulën gjithë luftës çlirimtare sepse me Jezercin, me betejën e Jezercit, me ushtarët e Jezercit është marr edhe Parlamenti i Serbisë, duke shpresuar se me shuarjen e njësiteve në Jezerc do të shuhej edhe lufta çlirimtare, ndaj pesha e Jezercit është tepër e madhe dhe pesha e gjakut të derdhur në Jezerc është tepër e madhe” tha ish Komandanti i ZON – Neredimes, Shukri Buja.

Akademia Solemne për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit dhe Ditës së Dëshmorëve të Kombit, që u mbajt në Jezerc vijoi me pjesën artistike ku performuan orkestra e zgjeruar e Ansamblit Artistik të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” si dhe emra të mirënjohur të skenës muzikore.

Aktiviteti që mbyll këtë javë ngjarjesh për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit do të mbahet të nesërmen nga ora 08:00 ku Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj dhe Shoqata e Bjeshkatarëve kanë organizuar ecjen nga Ferizaj në Jezerc duke u nisur nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.