Lajme

Në Gjermani kërkojnë shoferë autobusësh, trenash… alarmi po bie, gjermanët po plakën!

By FerizajPress

September 11, 2016

Shoqata e transportuesve gjerman (VDV) shpreh shqetësimin për gjithnjë e më pak shoferë në transportin publik dhe numrin e shtuar të shoferëve që po shkojnë në pension ose janë para pensionit.

Situata më kritike paraqitet tek drejtuesit e trenave, shkruajnë mediat gjermane, përcjellë lajmi.net. “Askush nuk dëshiron ta drejtojë lokomotivë”, ankohen në sindikatat e drejtuesve të trenave, GDL. Momentalisht në tërë Gjermaninë mungojnë nga 800 deri në 1000 drejtues trenash.

Askush nuk është i gatshëm për vetmi dhe punë në ndërrime. Edhe qytetet si Berlinin po kërkojnë në vazhdimësi bartës të qytetarëve. Mosha mesatare e drejtuesve berlinez të trenave nëntokësor dhe mbitokësor është 50 vjeç.

“Neve na duhen të rinj”, thotë një përfaqësues i trafikut urban të Munihut.

Që kur në Gjermani para disa vitesh është hequr monopoli në hekurudha në trafikun ndërmjet qyteteve, është paraqitur mungesa e shoferëve të autobusëve në relacione të gjata. Shoqata gjermane e autobusëve thotë se momentalisht mungojnë rreth 2000 shoferë.

Në vitet e ardhshme ky numër mund të rritet deri në 10 mijë. Kjo Shoqata tashmë ka nisur një fushatë agresive për t’i bindur të rinjtë që të bëhen shoferë. “Lëviz diçka – bëhu shofer autobus”, është slogani i kësaj fushate. /Lajmi.net/