Ferizaj

Në Ferizaj u hap Panairi i Prodhimeve Vendore

By FerizajPress

July 26, 2018

Feruzaj.26.07.2018. Këtë të enjte në Ferizaj në Qendrën Tregtare “Plus Center” është bërë hapja e Panairit me Prodhimeve Vendore. Në hapjen e këtij panairi, mori pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, zëvendësministra, drejtues të partive politike, drejtorë komunal si dhe shumë kompani prodhuese nga Shqipëria dhe Kosova.

Si tepër i rëndësishëm ky panair u vlerësua nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, po bën gjithçka që është e mundur që t’iu dal në ndihmë prodhuesve vendor.

“Sot edhe për mua është një moment ndryshe, ju falënderoj për mundësinë për të qenë bashkë me ju, njëkohësisht shpreh falënderim dhe respekt për punën e Kryetarit të Komunës, z. Agim Aliu. Ne kemi jetuar gjatë me të tjerët, kemi konsumuar gjatë produktet e tjerëve, qoftë sigurisë, qoftë ekonomik. Shumë rrallë, shumë shkurt na ka ra hise me qenë vetvetja. Ju përgëzoj për këtë porosi që po dërgoni prodhuesve, konsumatorëve”, është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.

E nga ana tjetër numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, ka shprehur mirënjohje dhe lëvdata për pronarët e “Plus Center”, për një organizim të tillë që po bëhet në qytetin tonë.

“Mirëserdhët në Ferizaj, mirëserdhët në kryeqytetin e zhvillimit ekonomik, qytetit që për herë të parë po organizon në nivel të Kosovës, një panair të llojit të tillë dhe kjo tregon më së miri, drejtimin që duhet të marr e gjithë Republika e Kosovës, por që kësaj radhe ka nisur dhe duhet të vazhdoj nga Ferizaj e tutje. Ne padyshim dhe pa hezitim si Komunë e Ferizajt me të ardhur ideja dhe kërkesa për një panair të tillë nga z. Sylejman Neziri, një vetëmohues i pashoq në të bërit biznes me produkte vendore, sigurisht se i kemi dhënë jo vetëm sot, por edhe vazhdueshëm do t’i japim përkrahje, sepse dëshirojmë të bëjmë një zhvillim ndryshe, sepse dëshirojmë të kemi një ekonomi ndryshe, sepse dëshirojmë të kemi një qytetar me shëndet të mirë, dhe pa dyshim se përkrahja e prodhimeve vendore, përkrahja e komunitetit të biznesit që plason dhe prodhon produkte bio dhe produkte që i bën toka jonë është siguri e shëndetit, është siguri e qytetarëve të Komunës së Ferizajt, por edhe njëkohësisht edhe më gjerë. Ne do t’i mbështesim këtë biznes dhe bizneset tjera në mënyrë që sa më shumë të kemi produkte të prodhuesve tanë, fermerëve tanë. Më lejoni që të falënderoj, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që jemi bashkë në të njëjtin drejtim, sepse jemi në mbështetje të këtyre fermerëve, dhe dua të falënderoj për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pikërisht për të mbështetur edhe fermerët e dëmtuar, bujqit e dëmtuar e që fatkeqësisht ne në Ferizaj kësaj radhe kishim më shumë” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, përderisa ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, por edhe Kryeministrin Ramush Hardaniaj, për marrjen e vendimit që pronat e AKP-së t’i takojnë Komunës së Ferizajt.

Në këtë panairi i pranishëm ishte edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka shprehur kënaqësinë e tij të madhe që ishte pjesë e këtij organizimi. “Sot kam një kënaqësi të trefishtë, që marr pjesë në këtë organizim. Së pari për shkak se bëhet fjalë për prodhim, së dyti për shkak se bëhet fjalë për prodhim vendor dhe së treti për shkak se gjithë këtë po e bën njeriu i cili i ndaloi e i bojkotoi produktet e Serbisë agresore dhe kështu dha shembull për krejt ekonominë kosovare dhe ndërmarrësit e tjerë anembanë Komunave të Kosovës. Konsumi neve na individualizon për shkak se ne konsumojmë si individ por është prodhimi ai i cili na bashkon dhe na kolektivizon. Secili prej neve kur konsumon mallra këtë e bën veçmas, secili ka grykën e vet, secili ka një trup të vetin, mirëpo për të prodhuar duhet që të bëhemi bashkë, të organizohemi në seri dhe ta nxjerrim një produkt final i cili më pas konsumohet prej njerëzve” tha lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti.

 

Ndërsa, pronari i “Plus Center”, i ka njoftuar të pranishmit se në këtë panair po marrin pjesë rreth 200 kompani vendore si dhe shumë kompani prodhuese nga Shqipëria, ndërkaq gjatë dy ditëve, sipas tij pritet që të jenë mbi 10 mijë konsumatorë që do të frekuentojnë këtë panair. “Për dallim nga panairet e ndryshme të mbajtura në Kosovë të cilat i dhanë hapësirë reklamuese produkteve serbe, neve sot në këtë panair po ia japim hapësirën dhe mbështetjen e merituar prodhuesve vendor dhe në këtë mënyrë po e ruajmë traditën e sofrës shqiptare” tha Sylejman Neziri, pronar i Plus Center.

Ky panair do të jetë i hapur dy ditë, ndërsa është i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës.