Të reshurat e fundit të borës kanë shtyrë ekzekutivin e komunës së Ferizajt që të aktivizohet me qëllim që mos të bllokohet asnjë rrugë për qarkullim.
Për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve komuna ka nënshkruar një kontratë kornizë për tre vjetët e ardhëm me dy operatorë ekonomik ndërkohë prej tyre janë nënkontraktuar edhe disa kompani të tjera.
Për pastrimin e borët për tre vjetët e ardhshme komuna ka ndarë 650 mijë euro, ndërkaq për këtë sezon rreth 230 mijë euro varësisht prej shërbimeve.
Arben Halili drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt ka njoftuar se të gjitha rrugët janë të kalueshme, megjithëse të reshurat kanë vazhduar herë pas here edhe gjatë së premtws.
“Jemi mobilizuar mirë dhe të gjitha kompanitë janë vënë në funksion me të gjitha kapacitetet e tyre me qëllim që mos të kemi bllokim të ndonjë rruge. Paramasat për këtë sezon janë përgatitur në bashkëpunim me përfaqësuesit e fshatrave dhe përfaqësuesit e zonave urbane të qytetit. Pra, ata na kanë dhënë propozimet e tyre për pastrimin e rrugëve në të gjitha lokalitetet”, ka thënë Halili.
Ndërkaq, Fehmi Krasniqi, pronar i kompanisë “Rahovica”, ka thënë se janë përgatitur me të gjitha makineritë edhe me krip të mjaftueshëm për t’i mbajtur rrugët e pastra gjatë sezonit dimëror.
“Të gjitha ekipet po vazhdojnë të qëndrojnë në terren duke e kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Makineritë i kemi në dispozicion dhe vazhdimisht jemi duke e bërë pastrimin e rrugëve. Vështirësi mund të ketë nëse të reshurat vazhdojnë pa ndërpre, por bllokim të rrugëve nuk ka sepse jemi të përkushtuar maksimum në këtë drejtim dhe do t’i dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve në mënyrë që ta kenë qarkullimin sa më të lirë”, ka thënë Krasniqi.