Me moton “Mos ma moho të drejtën”, organizuar nga shoqata e personave me nevoja te veçanta “Handikos” është shënuar Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocave.
Pjesë e parakalimit ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Kemajl Emini i shoqëruar nga bashkëpunëtoret e tij, si dhe grupi i grave asambleiste të Kuvendit të Komunës së Ferizajt.
Me këtë rast është thënë se “Handikos” në Ferizaj, ka për qëllim përmbushjen e së drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Sipas tyre kjo ditë i dedikohet 1.85% të popullsisë botërore që ka nevojë për karrocë, prandaj përveç festës dhe rëndësisë që ka, do të ketë në fokus edhe vetëdijesimin e shoqërisë për pengesat dhe barrierat fizike me të cilat përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuara.
U kërkua që edhe personat me karrocë të kenë qasje sa më të madhe nëpër institucionet lokale, por edhe në vende të ndryshme publike në mënyrë që t’ju mundësohet lëvizja më e lire e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocave në vendin tonë është shënuar për herë të parë në vitin 2019..