Me aktivitete të shumta në Ferizajt të premten është shënuar dita e rinisë. Hapjen zyrtare të këtij manifestimi e bëri kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. A më këtë rast ka theksuar se të qëndrosh në mesin e të rinjve, është një rast i mirë për t’u ndier më i ri, me më shumë energji, besim dhe shpresë për të ardhmen. “Energjia, besimi dhe shpresa, janë shtyllat kryesore që i shtyjnë përpara të rinjtë në përpjekje për ta bërë jetën më të mirë. Tradicionalisht, në kohët më të vështira, rinia jonë ka qenë bartëse e nismave për ndryshime të rëndësishme shoqërore. Ajo edhe i ka udhëhequr ato nisma derisa janë masivizuar në shkallën e proceseve që e kanë bërë historinë e vendit tonë. Me energjinë e pashtershme, me gatishmërinë dhe përkushtimin për të investuar pa kursim në të mirë të zhvillimit dhe të ndryshimeve pozitive, rinia përherë mbetet një burim i madh, i cili po u aktivizua në masë, paraqet një fuqi kolosale e të pazëvendësueshme. Brezat e sotëm të të rinjve tanë janë me shumë fat që jetojnë në një vend të lirë, ku secili mund të shkollohet, të përgatitet për jetë dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij, sipas prirjeve, aftësive që ka dhe mundësive që i ofrohen. Vetëm dy dekada më parë, të rinjtë tanë nuk i kishin këto mundësi”, është shprehur kryetari Svarqa, duke uruar të rinjtë për ditën e tyre. Të pranishmit në këtë aktivitet i ka përshëndetur edhe Emily Cullom nga Gizi gjerman, duke ftuar të rinjtë që gjithnjë të merren me aktivitete të shumta në mënyrë që gjithnjë të kenë edhe suksese. Me rastin e ditës së rinisë, janë zhvilluar edhe aktivitete të shuma, ndërsa janë shpërblyer de vullnetaret e gjysmës së parë të këtij viti.