Me moton ”Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”, edhe këtë vit Në Ferizaj është duke u zhvilluar fushata për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me abuzimin dhe dhunën ndaj fëmijës. Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara (FIT) përmes projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA” për të dytin vit radhazi fushatën e filluan duke organizuar debate dhe duke angazhuar fëmijët që përmes artit të krijojnë punime që përçojnë mesazhe kundër abuzimit dhe dhunës. Të gjitha këto punime janë prezantuar në ngjarjet e zhvilluara dhe janë shpërndarë në rrjete sociale.Po ashtu edhe në Ferizajt janë mbajtur takime të drejtpërdrejta me nxënës të shkollave për t’i informuar rreth shënimit të Ditës Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijëve.Projekti TACA ka filluar të zbatohet në shkurt të vitit 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tyre duke promovuar mjedis pa abuzim në shkollat e Kosovës. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR).
Momente nga aktivitetet e organizuara për 19 nëntorin, Ditën botërore për parandalimin e abuzimit të fëmijëve.
Një falënderim për ecurinë e mbarë të aktiviteteve ju takon edhe psikologëve të shkollave, mësimdhënësve dhe drejtorëve që çdoherë janë të gatshëm për bashkëpunim.