Ferizaj

Në Ferizaj, mbahet tribunë artistike-shkencore me temën “Arti dhe Lufta”

By FerizajPress

September 27, 2018

 

Ferizaj.27.09.2018. Në orët e pasditës, në organizimin e Klubit Letrar “De Rada”, në sallën e ekspozitave të Galerisë së Arteve, u mblodhën dhjetëra qytetarë, artistë, drejtues politik e institucional, veterantë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,shkrimtarë e publicist ferizajas për të dëgjuar kumtesat që janë përgatitur për tribunën artistike-shkencore me temën “Arti dhe Lufta”.

Organizatorët kishin përzgjedhur personalitete ferizajase me thirrje profesionale për të folur për lidhshmërinë e artit dhe trajtimit që kjo e fundit i ka bërë dhe i bën luftës.

Gazmend Bytyçi, kryetar i Klubit Letrar “De Rada” hapi këtë ngjarje duke shpjeguar se arsyeja e organizimit të kësaj ngjarje në shënim të 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit është për të vlerësuar ndikimin që pati në art, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe drejtorja e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani tha se kjo ngjarje po organizohet për herë të parë në Ferizaj dhe si e tillë paraqet një aktivitet të veçantë kulturor në përkujtim të luftës për liri që bën djemtë dhe vashat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngjarja vijoi me leximin e kumtesave nga poeti ferizajas Besim Zymberi, i cili foli për letërsinë dhe trajtimin që kjo i bën luftës, muzikologia Albulena Nuredini referoi temën e luftës dhe muzikës, regjisori i filmit Besim Ugzmajli bëri një përmbledhje për trajtimin e luftës në aspektin kinematografik, regjisori i teatrit, Fatmir Hyseni krahasoi metodat e krijimtarisë skenike dhe trajtimin nga ana e tyre e luftës kurse historiani Nexhat Shahini foli mbi aspektin historik të luftës, gjegjësisht historikun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Neredimes.

E gjitha ngjarja u përcoll me poezi të cilat u lexuan nga Arsim Hamiti, Bleona Mustafa, Riza Reshani dhe Zyrafete Shala, shoqëruar edhe me tinguj të muzikës nga instrumentistë ferizajas.

Kjo ngjarje dhe aktivitete të tjera për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Jezercit organizohen nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.