Ferizaj

Aliu: QMF në Neredime do të shërbej si hapësirë spitalore për pacientët me COVID-19

By FerizajPress

November 14, 2020

Ferizaj dita ditës po shënon rritje me numrin e rasteve të reja, dhe kjo ka bërë që të shfrytozohet edhe një shkollë e pa përdorur për të trajtuar pacientët me COVID-19. Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu ka njoftuar se ka rritur hapësirat për pacientët me koronavirus në këtë qytet pas rritjes së rasteve të reja. Shkollën e papërdorur në Lloshkobare do të shfrytëzohet për pacientë, gjithashtu edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime, do të shndërrohet në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar. Ky është njoftimi i kryetarit Aliu: Bashkëqytetarë të nderuar! Për të menaxhuar me efikasitet, rastet në rritje me virusin COVID-19 në Ferizaj, në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Lokal morëm vendim: Qendrën e Mjekësisë Familjare në Neredime, ta shndërrojmë në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar dhe dyshuar me virusin COVID-19, të cilat referohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizaj; Me hapësirën e re në QMF- Neredime rrisim kapacitetin në 50 shtretër shtesë për trajtimin e pacientëve; Shkollën e papërdorur në Lloshkobare ta bëjmë gati si hapësirë alternative për trajtimin e pacientëve në rast rritjes së vazhdueshëm të kërkesës për hospitalizim; Hapësirat e objektit të vjetër të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik të rregullohen tërësisht në afat optimal për nevojat e trajtimit shëndetësor të pacientëve të infektuar apo dyshuar. Me këto zgjidhje, Ferizaj mbulon nevojat për hapësira shëndetësore, duke pasur mjaftueshëm, për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19. Po kështu, edhe medikamentet, pajisjet e materialet tjera mbrojtëse janë të bollshme për trajtimin e rasteve. Juve bashkëqytetarë ju mbetet zbatimi i formulës së thjeshtë: mbani maskën, respektoni distancën fizike e pastroni vazhdueshëm duart që të shmangni infektimin.