Ferizaj

Në 25 vjetorin e çlirimit të Ferizajt mbahet ekspozita me fotografi “Gratë në rrugën e lirisë”

By FerizajPress

June 12, 2024

Gratë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimëreshat, heroinat e luftës për liri, gratë e lirisë – në këtë përvjetor të 25-të të Çlirimit, shpalosën kujtimet e emocionin e ngrirë në fotografi, lavdinë, heroizmin, sakrificën që qëndisi shtatin e Kosovës së lirë.

Me ekspozitën e veçantë me fotografi, emocionin e papërshkrueshëm që risjell, krenarinë që mbizotëron dhembjen, kjo ngjarje është shërbim për kujtesën shoqërore e historike, për brezat sot dhe nesër, për rrëfimin e përpjekjen tonë për lirinë, pjesë e pashkëputshme e lavdiplote e së cilës janë gratë e vajzat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, në ekspozitën kushtuar grave dhe vajzave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e qindra pjesëmarrësve, me fjalë të pranishmëve iu drejtuan znj. Donika Shahini Lami, gazetare, ish reportere e luftës, znj. Florie Osmani – veterane e UÇK-së, aktualisht majore në FSK, Nëna Ferdonije Qerkezi nga Gjakova dhe Nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, të cilët çmuan lartë rolin e grave dhe vajzave në përpjekjen për liri e luftën tonë çlirimtare.

Nismën për organizimin e kësaj ngjarje e ndërmorën tri veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, znj. Florije Osmani, znj. Linda Fetahu Krivanjeva si dhe znj. Demrije Salihaj, ngjarje që u organizua me mbështetjen e Komunës së Ferizajt.