Lajme

Ndryshon agjenda, votimi në Parlamentin Evropian për vizat ndodh nesër

By FerizajPress

September 12, 2018

Parlamenti Evropian do të votojë të enjten rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bën të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian. Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit.

Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të enjten kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese.

Radio Evropa e Lirë mëson se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi q të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimit Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.